Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Komisariati i Policisë Mallakastër, në kuadër të kontrolleve të kryera me qëllim goditjen e veprimtarisë së jashtëligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, dhe pas një pune të mirëfilltë policore e ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë zbuluar një tjetër rast të kultivimit të bimës narkotike cannabis sativa.
Në kuadër të operacionit kombëtar “Territor i Pastër”, nga Komisariati i Policisë Mallakastër u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. H., 63 vjeç, me detyrë specialist pyjesh;
-P. I., 61 vjeç, me detyrë specialist pyjesh;
-H. S., 73 vjeç, kryeplaku i fshatit Lofkënd, Mallakastër;
-G. S., 59 vjeç, kryeplaku i fshatit Çyçen, Mallakastër.
Për këta shtetas nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal, pasi nga kontrollet e territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, kanë konstatuar në koordinata të ndryshme, në fshatrat Lofkënd dhe Çyçen, bimë të mbjella të lëndës narkotike cannabis sativa, e cila një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua. Këta shtetas nuk kanë dhënë informacion në lidhje me koordinatat e mbjella me bimën narkotike.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.