Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar 24-vjeçar nën efektin e alkoolit dhe të drogës ka shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen e partneres së tij 24-vjeçare Mariagrazia Bedin, me origjinë italiane.
Mediat italiane shkruajnë se nga aksidenti është plagosur edhe foshnja 6-muajsh i çiftit, që ishte në makinë me ta. Dy fëmijët më të mëdhenj të çiftit ishin me gjyshërit. Shqiptari që ka shkaktuar aksidentin u identifikua si Ali Hoxha.
Hoxha ka humbur kontrollin e mjetit papritur dhe makina është përmbysur. Automjeti ka dalë dhe nga rruga. Pas kësaj, kanë ndërhyrë ambulancat, që kanë arritur në vendngjarje së bashku me zjarrfikëset, që të nxjerrin të dëmtuarit nga mjeti.
Për fat të keq, për nënën e re nuk kishte mbetur asgjë për të bërë. Ndërsa, fëmija i çiftit dhe motra e shoferit janë plagosur dhe u dërguan në spital. Në spital shkoi dhe vetë Hoxha, që ka dalë pozitiv në testet për alkoolin dhe drogën. I riu është shoqëruar në komisariat dhe është në arrest shtëpie.