Andrea alias Adriatik Kalemi është arrestuar sot për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, gjatë një aksioni për kapjen e Andreu Bodes, autori i dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Papa.
Arrestimi i Adriatik Kalemit është bërë, pasi gjatë kontrolleve në banesë, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 selinciatorë, 1 jelek antiplumb, mbi 40 mijë euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
Profil/ Kush është Adriatik Kalemi. Atentatet në Greqi dhe vrasja e babait dy muaj më parë
Andrea Kalemi nga Memaliaj më 2023 i ka shpëtuar një sulmi në burgun e sigurisë të lartë në Koridhalos, ku një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.
52-vjeçari, që njihet edhe me emrin Adriatik Kalemi, mësohet se është plagosur në datat 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me vrasje me pagesë. Gjithashtu, ai ka qenë shënjestër e një sulmi më 9 gusht 2023, në ishullin Paxos në Greqi, kur po pushonte me familjen.
Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit, duke e plagosur rëndë. Në vendin e ngjarjes, policia greke ka gjetur 14 gëzhoja. Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika, ndërsa më pas me ambulancë drejt Janinës, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Policia greke e arrestoi Kalemin, pasi ka zbuluar se ai ishte në kërkim nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në Burgun e Koridhalos, pasi kaloi rrezikun për jetën.
Vrasja e babait të Adriatik Kalemit
Më 20 korrik 2024, Kalemit i vranë babanë, Shyqyri Kalemin, në një atentat me armë zjarri. Pista kryesore se përse ka ndodhur atentati dyshohet se është vazhdimësia e sagës së vrasjeve së Aleksandër Sadikajt dhe Edmond Papës. Policia ka dyshime se Adriatik Kalemi është përfshirë në ekzekutimin e Papës në dhjetor 2022.
Kalemi është djalë i dajës i Aleksandër Sadikajt nga Memaliaj, që u ekzekutua në një atentat me eksploziv në Sauk të Tiranës në qershor 2022. Më 16 dhjetor 2022 në Tiranë u vra biznesmeni nga Fieri, me banim në Sarandë, Edmond Papa. Për vrasjen e tij u arrestua miku i Kalemit, Albano Velo, ndërsa sot më datë 20 gusht 2024 u arrestua Bode, që është personi që ka ekzekutuar Papën.
Në dosje për këtë vrasje përmendet edhe emri i Adriatik Kalemit. Seria e hakmarrjes ka nisur pas dyshimeve të familjes së Aleksandër Sadikajt se pas vrasjes së këtij të fundit, qëndron Edmond Papa. Edhe atentati në Paxous ndaj Andrea Kalemit, dyshohet të ketë lidhje me këto ngjarje.