Aktori i mirënjohur francez Alain Delon ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Lajmi u konfirmua për AFP nga tre fëmijët e aktorit dhe producentit të njohur.
“Alain Fabien, Anouchka, Anthony, janë thellësisht të pikëlluar të njoftojnë ndarjen nga jeta të babait të tyre. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët dhe familja e tij”, thuhet në deklaratë.
Familjarët e aktorit u shprehën se kërkojnë privatësi në këto momente të vështira. Ylli i Le Samouraï , Plein Soleil dhe The Leopard, ka qenë në gjendje të keqe shëndetësore që pasi pësoi goditje në tru në vitin 2019.
Alain Delon është një aktor legjendar francez i njohur për sharmin e tij dhe talentin e jashtëzakonshëm. Me një karrierë që përfshin mbi gjashtë dekada, Delon është një nga figurat më ikonike në historinë e kinematografisë franceze dhe botërore pasi ka spikatur në rolet e tij.
Nga roli i tij i rëndësishëm në “Purple Noon” deri tek interpretimet e tij magjepsëse në filma si “Le Samouraï” dhe “Rocco and His Brothers”, Delon ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në ekran.
Ai lindi më 8 nëntor 1935 në Sceaux, në veri të Francës. Alain Delon ishte djali i menaxherit të një kinemaje të vogël, ndërsa nëna e tij ishte shitëse dyqani. Prindërit e tij u ndanë kur Alain ishte katër vjeç dhe djali i vogël iu besua një familjeje birësuese.