Sot në orën 11:00, pritet të zhvillohet para Bashkisë së Tiranës protesta e 20-të, e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga PD-ja si dhe figura të njohura të artit.
Qindra qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Protestat para kësaj bashkie po zhvillohen për skandalet që kanë ndodhur në këtë institucion, siç janë afera e inceneratorëve dhe dosja “5D”, ku janë arrestuar pas hetimeve të SPAK-ut, një sërë drejtorësh. Qytetarët kërkojnë me ngulm largimin e Veliajt nga zyra dhe vënien e tij para drejtësisë.
Edhe vetë Veliaj u mor në pyetje nga SPAK-u për aferën e inceneratorëve, ndërsa gjykata lëshoi disa javë më parë masa të tjera sigurie, me urdhër të prokurorit të posaçëm.
Ndërkohë, hetimet për inceneratorët vazhdojnë, ka shkuar në SPAK grupi i parë, janë edhe dy grupe të tjera. Fillimisht u akuzuan për korrupsion, por tashmë mbi personat e përfshirë rëndon edhe akuza e grupit të strukturuar kriminal për një aferë rreth 130 milionë euro, për një incenerator që nuk ekziston.
Edhe pse në temperatura të larta, aktivistët për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita nuk tërhiqen.
Në protestat e fundit nuk kanë munguar tensionet, përplasjet me policinë, pasi protestuesit kanë tentuar të futen brenda godinës së bashkisë.
Janë hedhur edhe flakadanë dhe shishe me benzinë, si dhe janë djegur goma. Anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk janë lejuar që të futen në institucionin e bashkisë.
Megjithatë, qytetarët kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen