Përmes një drafti të përbashkët PS dhe PD duket se kanë arritur dakordësinë për Reformën Zgjedhore. Dy partitë do të votojnë në seancë për t’i hapur rrugë emigrantëve që kanë një adresë të saktë banimi për të votuar.
Ndërkohë, pika që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.
Në draft, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, ndërkohë që demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur.
Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.”