Pesha e depozituesve të mëdhenj ndaj totalit të depozitave bankare shënoi përsëri rritje të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2023 dhjetë depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit zotëronin më shumë se 8% të totalit të depozitave bankare, nga 6.9% që kishte qenë ky tregues një vit më parë.
Një tendencë e ngjashme vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj.
20 depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit të kaluar zotëronin 10.5% të depozitave, kundrejt 9.1% në vitin 2022.
Ndërsa 50 depozituesit e mëdhenj mbanin 13.6% të totalit të depozitave, nga 12.3% që kishin një vit më parë.
Pesha e depozituesve më të mëdhenj ndiqet dhe raportohet nga Banka e Shqipërisë për qëllime të monitorimit të përqendrimit të depozitave bankare.
Megjithëse informacioni i bankës qendrore nuk i ndan depozituesit sipas kategorisë, besohet se në shumicën e tyre bëhet fjalë për depozita të bizneseve.
8.04% e depozitave totale në fund të vitit 2023 do të përkthehej në një vlerë prej rreth 128.4 miliardë lekësh ose rreth 1.24 miliardë eurosh (me kursin e fundit të vitit 2023) në llogaritë e 10 depozituesve më të mëdhenj.
Në fund të vitit 2022, depozitat e zotëruara nga 10 depozituesit më të mëdhenj kishin qenë rreth 104.7 miliardë lekë. Kjo tregon se në vlerë absolute, gjendja e depozitave të 10 depozituesve më të mëdhenj u rrit me 7.4 miliardë lekë, ose 22.6% vitin e kaluar.
Vlera e depozitave bankare të 20 depozituesve më të mëdhenj në fund të vitit 2023 llogaritej në afërsisht 167.6 miliardë lekë, në rritje me 21.4% krahasuar me një vit më parë.
Për 50 depozituesit më të mëdhenj, vlera e depozitave bankare totale llogaritet në rreth 217.2 miliardë lekëve, në rritje me 16.3% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e peshës së depozituesve më të mëdhenj duket se përputhet me tendencën e rritjes së shpejtë të depozitave të biznesit në tërësi.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, depozitat e biznesit në banka arritën vlerën rekord të 360 miliardë lekëve, në rritje me 15.5% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e depozitave të biznesit është një tendencë e dukshme e viteve të fundit, që ka marrë një hov të shpejtë veçanërisht pas pandemisë. Krahasuar me vitin 2020, depozitat bankare të biznesit janë rritur me pothuajse 85%.
Duket se depozitat e bizneseve po përfitojnë nga rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e çmimeve dhe e fitimeve në dy vitet e fundit, ndërsa në një situatë të tillë, subjektet më të mëdha kuptueshëm mund të jenë duke pasur edhe përfitimet më të mëdha, në terma të rritjes së gjendjes së parave në llogaritë e tyre.
Megjithatë, sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pjesërisht rritja e depozitave të bizneseve mund të lidhet edhe me përfshirjen e tyre në skema të pastrimit të parave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2023 depozitat bankare ato kishin vlerën e afërsisht 1.6 trilionë lekëve, në rritje me 5% krahasuar me një vit më parë.
Norma e rritjes së depozitave u ngadalësua lehtë krahasuar me vitin 2022, por kjo i detyrohet sidomos forcimit të ndjeshëm të lekut në kursin e këmbimit (rreth 9% në fund të 2023)./Monitor