Janë 261 persona azilkërkues që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë vitit 2023, referuar të dhënave të Drejtorisë së Azilit të të Huajve dhe Shtetësisë, pranë Ministrisë së Brendshme. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se viti 2022, i cili regjistronte gjithsej 125 azilkërkues. Rritja fiksohet në rreth 108% përgjatë vitit 2023.
Kështu, nëse analizojmë vendin e origjinës së azilkërkuesve, vërehet se numri më i lartë i azilkërkuesve është me origjinë nga Afganistani me 161 azilkërkues ose 61.7% të peshës, duke vijuar me 63 azilkërkues nga Siria dhe Iraku. Gjatë vitit 2023, rezultojnë 14 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, ku nga këto raste 5 i përkasin shtetasve me origjinë nga Iraku, 4 shtetasve me origjinë nga Afganistani dhe pjesa tjetër nga Siria dhe Palestina.
Interesante paraqiten shifrat sa i përket fitimit dhe lënies të shtetësisë shqiptare përgjatë vitit 2023. Në vitin që lamë pas rezultojnë 1,382 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke shënuar rënie me 9.5%, krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë, po të rikujtojmë shifrat e vitit 2022, paraqitej një rritje e personave që kishin fituar shtetësinë me gati 114%. Gjatë 2023, 30.3% e personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç, e ndjekur nga grup-mosha 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç, respektivisht me 24.0% dhe 16.2%.
Por cili është vendi i origjinës për këta persona që kanë fituar shtetësi shqiptare? Rreth 74.7% e tyre janë nga Kosova, 7.2% nga Turqia, 2.8% nga Maqedonia dhe 4.1% nga Siria. Siç vihet re, ka një rritje të numrit të personave nga Siria të cilët kanë fituar shtetësinë Shqiptare.
Por çfarë thonë të dhënat për personat që hoqën dorë nga shtetësia?
Në 2023, rezultojnë 870 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke u rritur me 20.7% krahasuar me vitin 2022. Numri i personave që kanë lënë shtetësinë ka patur një tendencë në rritje, duke arritur rekord në vitin 2023, nëse analizojmë shtatë vitet e fundit. Nga këto të dhëna vihet re një dominim i femrave me 53.2% kundrejt 46.8% e meshkujve që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Sa i përket grupmoshës, të dhënat tregojnë se dominojnë moshat e reja, ku përkatësisht fasha 30-39 vjeç ka një peshë prej 45.2%, e ndjekur me grupmoshën 20-29 vjeç dhe 40-49 vjeç respektivisht me 20.7% dhe 19.5%.
SCAN