Presidenti Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Himarë.
Këshilli i Ministrave njoftoi sot zyrtarisht Presidentin Begaj për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Presidenti Bajram Begaj thirri në konsultë vetëm Ilirjan Celibashin, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.
Por ky vendim i kreut të Shtetit ka nervozuar kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.
Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi
Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjesimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës.