Banorët e fshatrave ku është planifikuar ndërtimi i termocentralit janë shprehur kundër vendimit të Këshillit të Bashkisë Roskovec të datës 26 prill, i cili miratoi me votat e maxhorancës planin vendor që përfshin ndërtimin e termocentralit në zonën e fshatit Suk 1.
Banorët pohojnë se nuk janë pyetur për këtë projekt dhe, duke pasur parasysh dëmet që ky termocentral mund të shkaktojë në tokat bujqësore dhe mjedisin, do të vazhdojnë betejën ligjore dhe protestat.
Në mbështetje të banorëve ka qenë edhe avokati Altin Goxhaj, i cili ka theksuar se projekti për ndërtimin e TEC në fshatin Suk është një projekt që garanton helmimin, vdekjen dhe shkatërrimin e zonës. Vendosja e një TEC pranë tubacionit që është me rëndësi strategjike për Europën rrezikon edhe strategjinë europiane të energjisë.
Ndërkohë në mbledhjen Këshillit që do të zhvillohet ditën e sotme do të lejohen të marrin pjesë një përfaqësi prej 15 qytetarë protestues.