Një shtetas 47-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka dhunuar vazhdimisht gruan dhe vajzën e tij. Për shkak të dhunës, bashkëshortja e tij ka konsumuar fotoksinë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin G. L., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprave penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Dhuna në familje”. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre, dhe për shkak të dhunës, bashkëshortja ka konsumuar fotoksinë. Ajo ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban Krujë arrestuan shtetasin B. M., 32 vjeç, banues në Kamëz. Ky shtetas, në aksin rrugor Mamurras – Fushë Krujë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë është dëmtuar 32-vjeçari dhe pasagjeri që ndodhej në mjet me të, shtetasi K. H., 31 vjeç, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
– D. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Demokracia”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale;
– Sh. S., 59 vjeç, banues në Marikaj, pasi në rrugën dytësore Marikaj – Vorë, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, pas një parakalimi të gabuar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin L. H., 62 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 62-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.