Zbulohen detaje të reja lidhur me arrestimin e policit të patrullës së komisariatit të Fierit,Lorenc Gropa, në banesën e të cilit u gjet një qese me gati 42 gr pluhur i bardhë e dyshuar kokainë.
Mësohet se prej disa muajsh zhvillohej aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike në lokalin bar cafe në Patos të cilin polici e kishte në pronësi por menaxhohej nga kushëriri i tij, i cili dyshohet se ishte personi kyç që bënte shitjen e lëndës narkotike.
Vetë polici kujdesej që të mos dilte shumë në skenë. Pas informacioneve dhe dyshimeve kanë qenë agjentë të AMP që kanë kryer disa herë blerje të simuluar në local, duke u shtirur si klientë.
Dy muajt e fundit, lokalin mësohet se ia kishin dhënë me qira një tjetër personi.
Gjatë kontrolleve policia ka bërë dhe verifikimin e telefonave, mes tyre dhe të të atit të policit, Maliq Gropa. Aty rastësisht kanë zbuluar rastin e trafikut të armëve në Greqi për të cilën është arrestuar dhe Skerdilajd Levendi i implikuar dhe në trafikun e armëve me shtetin grek.
Burimet bëjnë me dije se në celularin babait të policit janë gjetur komunikime me Skerdilajd Levendin për të dërguar armë në Greqi.