Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kanë prezantuar sot (24 maj) në konferencën “Rrugë të sigurta – Turizëm i sigurt” masat e mara për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Balla tha se do të ketë një operacion kombëtar në të gjithë vendin për t’i garantuar qëndrim të sigurt në Shqipëri turistëve, në të cilin do të jenë të angazhuar 1635 efektivë. Balla theksoi se rrugët do të monitorohen përmes radarëve dhe dronëve.
“Në këtë operacion kombëtar safe stay in Albania, plot 1635 punonjës të policisë. Pjesa më e madhe, pjesë e Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike që u krijua për të përballuar nevojën që ka sezoni turistik. Shqipëria ka pësuar një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së rrugëve, numri i qytetarëve të aksidentuar është ulur me 43%. Gjatë vitit 2024 presim të kemi 4.5mln mjete në rrugët kombëtare shqiptare. Në funksion të monitorimit të akseve rrugore, kemi marrë masa për të përdorur pajisje të teknologjisë më të lartë, radarë, kamera, dronë. Do të përdorim dronët edhe për monitorimin e trafikut në pikat e nxehta për të pasur një informacion të detajuar”, tha Balla.
Ministrja Balluku bëri me dije se së shpejti do të ketë një Agjenci Kombëtare të Transportit rrugor, me një rrjet të stabilizuar stacionesh në të gjithë vendin. Informacionet lidhur me lëvizjen në të gjithë territorin, do të jenë të aksesueshme përmes etransport.
“Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Transporti rrugor që do fillojë funksionin së shpejti. Do ketë një rrjet të stabilizuar në të gjithë vendin me stacionet e duhura dhe stacionet në qendrat kryesore të bashkive. etransport është një nga modulet më të rëndësishme sa i përket informacionit dhe lëvizjes në të gjithë territorin. Do kemi një imazh të ri të pikave kufitare këtë vit. Kemi një imazh të përcaktuar për secilën prej tyre, nga çdo pikë hyrje ka një ngjyrë të dedikuar do të ketë murale. Thuman-Kashar do të jetë e aksesueshme më 30 qershor. Gjatë këtij sezoni do të dorëzohen edhe akse të reja, tuneli i Llogarasë”, u shpreh Balluku.