Sindikata e Nëpunësve Civilë të Greqisë (ADEDY) që nga mëngjesi i kësaj të marte është në grevë njëditore me kërkesë për rritje 10 për qind të pagave për shkak të çmimeve të larta, pasi disa çmime të reja në Greqi janë shumë më të larta se çmimet e të njëjtave produkte në BE.
Pas një greve të përgjithshme nga të gjitha sindikatat në fund të shkurtit, Konfederata e Punonjësve të Sektorit Privat (GSEE) mbajti një grevë 24-orëshe në prill për të njëjtat arsye.Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Kyriakos Mitsotakis kërkoi “më shumë transparencë” në tregun e përbashkët të BE-së, duke treguar se ky është një nga prioritetet e qytetarëve përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në 9 qershor.
“Është “e rëndësishme” që “BE të provojë se është në gjendje të vendosë prioritetet e duhura”, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve përballë çmimeve të larta”, shkroi Mitsotakis në një letër dërguar të shtunën dhe publikuar të hënën.
Fuqia blerëse dhe inflacioni janë shqetësimet kryesore të grekëve përpara zgjedhjeve evropiane.
Sipas Mitsotakis, në disa vende si Greqia, mallrat bazë të konsumit shiten më shtrenjtë se në vendet e tjera të BE-së për shkak të “kufizimeve të furnizimit territorial të vendosura nga kompanitë e mëdha shumëkombëshe”.
Në prill, çmimet e konsumit në Greqi u rritën me 3.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me çmimet e ushqimeve me 5.4 për qind, sipas të dhënave nga shërbimi statistikor grek Elstat.
Kostoja e lartë e jetesës ka rritur pakënaqësinë sociale në Greqi, ku sipas shërbimit statistikor evropian të BE-së, Eurostat, pagat janë vetëm në vendin e 21-të mes 27 vendeve të BE-së.