Ballina Shqiperia ime Gjyshërit i rrëmbejnë djalin- Nusja tregon detajet

Gjyshërit i rrëmbejnë djalin- Nusja tregon detajet

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kënetë të Durrësit. Një nënën e re me origjinë nga Hasi akuzon ish-vjehrrit se i kanë rrëmbyer fëmijën 3 vjeç dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Ajo ka humbur bashkëshortin para një viti në një aksident rrugor, ndërsa pas kësaj ngjarjeje marrëdhëniet e nuses me vjehrrit janë ftohur dhe kishte vendosur të merrte djalin dhe të largohej nga shtëpia e burrit.

Ajo tregon se shtëpia e prindërve të saj me ish-vjehrrit janë afër dhe ata sa herë kanë dashur ta shikojnë djalin nuk ua ka ndaluar, madje siç thotë ajo, fëmijën e kanë marrë në shtëpi për çdo fundjave dhe në festa.

Por, kjo herë nuk ka funksionuar si më parë dhe fati i djalit nuk dihet. Gjyshërit sipas saj i kanë fshehur djalin dhe për këtë i është drejtuar Policisë.

Gjatë një prononcimi ne media Ille Gjuni thotë se ish-vjehrrit nuk kanë dashur ta zgjidhin çështjen sipas ligjit, por me metoda zakonore.

Ajo thotë se prindërit e bashkëshorti të ndjerë, pretendojnë se djali u takon atyre dhe do ta mbajnë deri sa të mbush 18 vjeç.

“Ma kanë marrë vjehrri dhe vjehrra çunin dhe nuk ma kanë sjell. Thonin që fëmija i takon atyre, nuk kërkonin ligjin, por donin të shkonin te kanuni. Babi i fëmijës ka vdekur një vit më parë. Çdo fundjavë ua lija dhe çdo feste. Nuk e di ku është fëmija. Nuk tregojnë se ku është djali. Gjyshja është bashkë më fëmijën, por nuk tregon se ku janë. Dua çunin të më sjellin. Të jetë mirë”, tha ajo.

Policia ka rreshtuar gjyshin e fëmijës, ndërsa ka shpallur në kërkim gruan e tij, e cila dyshohet se është larguar bashkë me fëmijën 3 vjeç.

“Gjyshi i fëmijës është arrestuar . Nuk tregon në polici”, shtoi nëna.

Ajo ka frikë se fëmijën mund t’ia kenë larguar nga Shqipëria.

“Po edhe ndoshta…”, tha ajo.

Policia e Durrësit prej të shtunës vijon punën për gjetjen dhe lokalizmin e 3-vjeçarit, ndërsa ka kërkuar vigjilencë të shtuar në të gjithë pikat kufitare të Shqipërisë. Paraprakisht dyshohet se fëmija mund të jetë larguar drejt Kosovës.