Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon përshkallëzimin e një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet adoleshentëve.
Arrestohet një 17-vjeçar dhe procedohen në gjendje të lirë një 16-vjeçar dhe një 14-vjeçar, të implikuar në konflikt.
Sekuestrohet një mjet prerës (thikë), me të cilin i arrestuari, gjatë konfliktit, dëmtoi lehtë 16-vjeçarin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 20:30, të datës 02.04.2024, për një konflikt ndërmjet disa adoleshentëve, në lagjen “Syrja Dylgjeri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të këtij konflikti dhe arrestimi i një 17-vjeçari të përfshirë në të. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 të mitur 14 dhe 16 vjeç, po ashtu të implikuar në konflikt.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, 17-vjeçari i arrestuar ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) 16-vjeçarin dhe ka dhunuar fizikisht 14-vjeçarin, ndërsa këta të fundit e kanë goditur atë, me send të fortë (shkop prej druri).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.