NJOFTIM PËR SHTYP I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Në vijim të të dhënave të bëra publike dje, ku provohet dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e vëllait të Kryeministrit Olsi Rama, në organizatën kriminale të Laboratorit të Xibrakës, sot kam përcjell zyrtarisht pranë SPAK kërkesën për nisjen e hetimeve penale ndaj tij.Janë kaq shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq nga prokuroria e kohës, saqë drejtësia ka për detyrë të rihapë menjëherë dosjen e procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016, lidhur me bashkëpunëtorin e paidentifikuar, 45 vjeç, që përdorte automjetin me targa AA 653 DM. Të dhënat e TIMS-it dhe ato që gjendjen në dosjen penale, janë të mjaftueshme për të rihapur hetimin e kokainës së Xibrakës, lidhjet e Olsi Ramës me grupin kriminal dhe përfshirjen ose jo të tij në organizatën e trafikut të kokainës.
Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj thirrja ime sot shkon edhe njëherë për drejtuesin e SPAK z. Altin Dumani: Na provoni që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit.
Nga ana tjetër, SPAK ka për detyrë të hetojë edhe rolin e dy prokurorëve të asaj çështje z. Olsian Çela (promovuar me votë të mazhorancës socialiste si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës) dhe z. Edvin Kondili (mbështetur nga Edi Rama si kandidat për drejtimin e SPAK një vit më parë dhe për të cilin zhvillojë një konflikt të hapur kundër Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë), si dhe të Policisë së Shtetit, në fshehjen apo prishjen e provave, mospërmbushjen e rregullt të detyrës, dhe moskryerjen e asnjë veprimi për të hetuar deri në fund procedimin e veçuar 335/1 – viti 2016. SPAK ka përgjegjësinë përpara publikut të jap një informacion të plotë se kush e ka penguar hetimin e këtij procedimi, pse është lënë në heshtje apo harresë kjo dosje, dhe cili është fati i këtij procedimi deri dje?
Derisa SPAK të bëjë detyrën e vet kushtetuese, pa ndikim dhe me profesionalizëm, për Edi Ramën vijon të mbetet e njëjta pyetje, edhe pse ai kishte zgjedhur dje të fshihet pas shkrimit të hartimeve në emrin e vëllait Olsi Rama. Qytetarët shqiptarë prej 24 orëve presin një përgjigje: “Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës? Kush është personi i paidentifikuar, i moshën 45 vjeç, që përdor makinën me targa AA 653 DM”.