Fier/Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 38 vjeç, banues në Përmet, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, për shtetasin A. O., 42 vjeç, banues në Mallakastër, pasi ka përvetësuar një shumë parash duke shpërdoruar detyrën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, për shtetasit J. I., 36 vjeç dhe A. A., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Zhamë, pasi janë konstatuar duke ndërtuar një mur në tokën e shtetasit J. I., pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.