Ballina Shqiperia ime Lejet e ndertimit, bashkite injorojne kushtet dhe zbatimin e projekteve ne terren

Lejet e ndertimit, bashkite injorojne kushtet dhe zbatimin e projekteve ne terren

Në të paktën 8 bashki të audituara nga KLSH procedurat e ndjekura për lejet e ndërtimit apo përmbushja e kritereve teknike dhe urbane ka shfaqur probleme në disa aspekte

Të publikuara së fundmi raportet e auditit kanë marrë në analizë bashkinë Vorë për të cilën nënvizohet se për disa objekte nuk janë respektuar distancat minimale nga objekti në objekt dhe për këtë janë sjellë edhe rastet konkrete. Ndërkohë edhe një tjetër bashki ajo e Pogradecit duket se ka të njëjtin problem.

Raporti i auditit nënvizon se lejet e ndërtimit të audituara janë miratuar në mos përmbushje të dokumentacionit të rregullt sektorial për ndërtimin, duke evidentuar mangësi që lidhen me treguesit e distancave ndërmjet ndërtimeve dhe pronave.

Për Bashkinë Mirditë sa i takon lejeve problematika e evidentuat lidhet me dokumentet që nuk janë të nënshkruara elektonikisht.

“Nga DPKZHT dhe Bashkia Mirditë të merren masa për të kontrolluar nënshkrimin elektronik në të gjithë dokumentacionin e dorëzuar në sistemin e-lejet,

të vërtetojë nëse këto dokumente janë nënshkruar ose jo elektronikisht, nëse ky nënshkrim është kryer sipas përcaktimeve ligjore dhe nëse është kryer nga personat përgjegjës për hartimin e këtyre dokumenteve” thuhet në raport.

Për bashkinë Selenicë problematika sa i takon lejeve ka të bëjë me komunikimin institucional ku sipas raportit nuk është saktësuar se cilat sipërfaqe kanë kaluar për ndërtim objektesh.

“Drejtoria e MTPM, Bordit të Kullimit, Pyjeve dhe Kullotave nuk ka bashkëpunuar me DPZHT Bashkia Selenicë, për të marrë informacion lidhur me sipërfaqet që kanë kaluar për ndërtim objektesh, si dhe nga ASHK për ato sipërfaqe me transaksion për shitje tokash apo për regjistrim të lejeve të ndërtimit” thuhet në raport.

Edhe për Bashkinë Klos KLSH ka konstatuar se ka problematika me afatet kohore të shqyrtimit të dokumentacionit për lejet si dhe distancat minimale.

“Nga DPZHT Klos të merren masa që lejet e ndërtimit të miratuara të jenë në përputhje dhe të respektojnë distancat minimale të lejuara ndërmjet objektit dhe kufirit të pronës.

Nga Bashkia Klos të merren masa për shqyrtimin brenda afateve kohore të kërkesave për pajisje me leje ndërtimi.

-Nga Bashkia Klos të merren masa për respektimin e të gjitha kritereve të përcaktuara, për rregullimin e veprimtarisë ndërtimore të subjekteve zhvilluese” rekomandon KLSH.

Për Bashkinë Delvinë KLSH ka konstatuar se gjatë auditimit të rasteve konkrete distancat ndërmjet objektit dhe kufirit të pronës nuk janë respektuar sipas kritereve të Rregullores së Zhvillimit të Territorit dhe Planit të Përgjithshëm Vendor për Bashkinë Delvinë.

Po kështu mungon dokumentacioni shoqërues si dhe projektet teknike, që në tërësinë e tyre, përbëjnë projektin ndërtimor, siç janë relacioni teknik për projektin e mbrojtjes nga zjarri, studimi sizmik dhe gjeologjik, projekti i instalimeve të ngrohje-ftohjes, si dhe raporti i auditimit të eficiencës energjetike.

Në Bashkinë Tropojë auditimi ka dalë në konkluzionin se gjatë viteve 2021-2022 në Bashkinë Tropojë nuk është miratuar Leje Ndërtimi për subjekte private në pronë shtetërore.

Të gjitha Lejet e miratuara kanë qenë në truall privat të personave apo subjekteve që kanë aplikuar dhe janë pajisur me leje ndërtimi. Për Kukësin KLSH ka vlerësuar në raport se janë konstatuar anomali në fushën e lejeve të ndërtimit dhe zbatimit të tyre në teren.

“Në 2 raste plan vendosja e paraqitur nuk është në përputhje me projektin e miratuar. Në 2 raste nuk janë respektuar distancat minimale ndërmjet objektit dhe kufirit të pronës.

Në 1 raste dokumentacioni i ngarkuar në sistemin e-leje, paraqitet me deviacione të sipërfaqes ekzistuese të truallit para miratimit të shtesës për leje. Në 2 raste realizimi i punimeve të ndërtimit nuk është në përputhje me leken e ndërtimit të miratuar” thuhet në dokument.

Burimi: Monitor