Ballina Aktualitet Sekuestrohet një “Lamborghini” dhe një objekt 3-katësh në pronësi të një shtetasi...

Sekuestrohet një “Lamborghini” dhe një objekt 3-katësh në pronësi të një shtetasi të dënuar në Belgjikë

Njoftimi i Policisë:

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Real estate”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 550 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve, të cilët janë dënuar njëri në Itali, tjetri në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në kuadër të një procedimi penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare pranë Prokurorisë së Elbasanit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Real estate”, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale, konkretisht: 

•Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u bë sekuestrimi i 2 pasurive të shtetasit A. K., të regjistruara në emër të tij dhe të të afërmve, konkretisht: 1 objekt 3-katësh (me aktivitet bar, restorant dhe hotel), në Cërrik, dhe 1 automjet “Lamborghini”. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi A. K., i cili është i dënuar në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”;

•Po në zbatim të vendimit të kësaj Gjykate u bë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit U. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht i një objekti banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi U. K., i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.