Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol prodhoi rreth 69 mijë tonë naftë në vitin që lamë pas, një shifër kjo rreth 3 për qind më e ulët se në vitin paraardhës.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga vetë kompania tregojnë se saktësisht në 2023 u prodhuan 68.9 mijë tonë naftë teksa në vitin 2022 u prodhuan saktësisht 70.5 mijë tonë. Nxjerrja e naftës arriti të rikuperonte terren në vitin 2022 teksa vinte nga dy vite të vështira të pandemisë së COVID-19 ku industria globalisht pësoi një rënie drastike edhe si efekt i uljes së aktivitetit ekonomik dhe kufizimeve për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit.
Në vitin 2020 prodhimi i Albpetrol thuajse u përgjysmua në raport me vitin paraardhës duke zbritur në 40.9 mijë tonë ndërkohë që në vitin 2021 shënoi një rritje me thuajse 50 për qind.
Por cilët janë vendburimet që kanë mbajtur peshën kryesore në prodhimin e vitit 2023 për Albpetrol dhe ato me një peshë më të ulët?
Të paktën 47.7 për qind e prodhimit sipas shifrave zyrtare të vetë kompanisë është siguuar nga vendburimi Gorisht-Kocul. Në këtë vendburim në 2023 u prodhuan 32.9 mijë tonë naftë. Sipas Albpetrol vendburimi ka gjithsej 284 puse vertikale ne inventar, prej të cilëve 142 puse janë aktiv për naftë e gaz.
Vendburimi i Kuçovës është i dyti për nga pesha në prodhimin e vitit 2023 ku rezulton se janë 16.4 mijë tonë naftë. Kjo sasi përben 23.9 për qind të totalit.
“Shoqëria “Albpetrol” SH.A është partnere në administrimin e vendburimit, sepse një pjesë e tij është lëshuar me koncesion nëpërmjet Marrëveshjes Hidrokarbure me kompaninë “Sherwood International Ltd”.Pjesa nën administrimin e shoqërisë “Albpetrol” SH.A numëron gjithsej 1.613 puse në inventar, ndër të cilët 100 janë puse të fondit të ndalur.
Duke qenë ngushtësisht të lidhur me mbarëvajtjen e operacioneve hidrokarbure, numri i puseve aktiv është gjithmonë subjekt i ndryshimeve. Mesatarisht shoqëria “Albpetrol” SH.A numëron rreth 950 puse në punë në këtë zone” thuhet në faqen e Albpetrol.
Vendburimi tjetër është ai Cakran-Mollaj me një prodhim prej 12 mijë tonësh në vitin 2023 ndërkohë që vendburimi i fundit është ai i Patosit me 3.8 mijë tonë naftë./MONITOR