Ballina Shqiperia ime Ndryshon taksa e shitjes së shtëpive

Ndryshon taksa e shitjes së shtëpive

Me miratimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat qeveria nuk do të lejojë asnjë shtëpi që të shitet poshtë vlerës së referencës që do të përcaktohet nga Kadastra për zona të ndryshme.

Por, Ministria e Financave në përgatitjen e zbatimit të këtij rregulli po përgatit edhe disa përjashtime. Kështu për ndërtesat e vjetra, çmimi i referencës do të zbritet me 1% për çdo vit vjetërsi.

Kjo do të thotë se një ndërtesë e vitit 2010 në kryeqytet me çmim reference 115 000 lek m2 me uljen që do t’i aplikohet do ta ketë çmimin 14% më të ulët në vlerën 98 900 lek.

Natyrshëm që është një lehtësim për shumicën e qytetarëve dhe kjo ndikon më së shumti edhe për ata qytetarë që i kanë pronat e trashëguara apo të privatizuara që nga vendimi 92’, të cilëve nga 32% që ua zbriste nga vlera referuese e zonës tashmë ua ka çuar në 50%”, tha Eduart Gjokutaj.

Sipas ekspertëve referenca në tregun e pasurive të paluajtshme është një indikator që mund të deformojë situatën e çmimeve reale

“Po the referencë natyrshëm që vetë referenca sjell pabarazi sepse nuk afrohet me vlerën e tregut, por synon që t’i afrohet. Në një treg që do të ishte normal nuk do të kishim referenca. Në momentin që një qytetar tiranas i cili në këmbim të pronës së tij ka përfituar një ndërtim të ri natyrshëm nuk ndodhet në kushtet e pagesës pasi thjesht ka përfituar pronën, mund të jetë pensionist dhe këta trajtohen njësoj si ata individë me të ardhura të larta. Prandaj, Ministria e Financave dhe administrata tatimore mund të ndërhyjë në këtë rast dhe të detaje edhe me rrugica çmimet e referencës në zonat ku ka interes të lartë, për t’ju afruar sa më shumë çmimit të tregut”, u shpreh Gjokutaj.

Vitin e kaluar nëpërmjet një VKM-je, qeveria ndryshoi çmimet e referencës për Bashkinë Tiranë duke i rritur ato, në disa zona deri në 98%, ndërsa në udhëzimin e ri pritet të rriten dhe referencat për pasuritë e paluajtshme në bregdet.