Policia italiane është njoftuar ditën e djeshme për një ngjarje në Casarile, në provincën e Milanos, pasi disa pronarë banesash kishin raportuar për të shtëna. Karabinierët hynë me forcë në një godinë në rrugën shtetërore 35 ku identifikuan menjëherë gëzhojat dhe shenjat e të shtënave të armëve. Disa kishin goditur derën e xhamit të hyrjes së godinës. Hetimet identifikuan shtëpinë e një 39-vjeçari shqiptar të dënuar për grabitje, nga banesa e të cilit me sa duket kanë ardhur të shtënat.
Gjatë kontrollit të banesës, karabinierët gjetën brenda kazanit të lavatriçes, një pistoletë të kalibrit 9×21, ende “duke nxjerrë tym”, me tytën ende të nxehtë dhe të mbushur. Në banesë kishte edhe dy karikatorë të plotë dhe një kuti me municion të kalibrit 9 mm, afërsisht 100 fishekë gjithsej, të mbajtur në mënyrë të paligjshme. Arma rezultoi e vjedhur në vitin 2020 në San Giuliano Milanese.
Sipas asaj që ka treguar vetë në polici, 39-vjeçari ka nisur të qëllojë me 3 të shtëna në hyrje të godinës për të zmbrapsur personat e dyshuar që kishin tentuar të hynin në shtëpinë e tij. Shqiptari, i cili jeton i vetëm në banesë, më pas është arrestuar në flagrancë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje si dhe për episodin e gjuajtjes me armë zjarri.