Përsa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur të dielën në mbrëmje ku mbeti i vrarë 23-vjecari Gëzim Sinomati, policia e Vlorës bën me dije se një pistë hetimi është edhe kryerja e atentatit me snajper nga automjeti i llojit BMW. Fakt i cili konfirmohet nga lëvizje të shumta të automjetit të llojit BMW që janë vënë re pak minuta përpara kryerjes së krimit. BMW, automjet i dyshuar i vjedhur, është vënë re që të lëvizë shpesh në zonë në momentin e ngjarjes deri në kryerjen e ekzekutimit.
Thuajse 48 orë pas ngjarjes, policia e Vlorës nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve të mundshëm. Konfirmohet se ka patur kontrolle në banesa dhe vende se ku fshihen persona të skeduar në krimin e organizuar që mund të kenë lidhje me ngjarjen, por as nga kontrollet nuk është evidentuar provë ekzakte.
Janë marrë në pyetje edhe persona të botës së krimit në lidhje me ngjarjen, por se ata kanë mohuar të kenë lidhje dhe janë lënë të lirë. Mësohet se ka nisur edhe një hetim në lidhje me Oshee nëse ndërprerja e dritave është e qëllimshme apo është bërë për shkak defekti.
Viktima Gëzim Sinomati pritet të përcillet sot për në banesën e fundit. Varrimi bëhet rreth orës 11:00. Burimet e policisë thonë se prezent në ceremoninë mortore do të jetë edhe babai i tij Sokol Sinomati i cili ka marrë lejen e posaçme nga burgu dhe pritet të jetë në varrim shoqëruar nga policia.
Vrasja dyshohet me pagesë nga persona të përgatitur më së miri për këtë ngjarje. Deri më tani nuk janë gjendur as gëzhoja dhe as arma e krimit. Në ekzekutim mendohet të jetë përdorur edhe silenciator. Makina e llojit BMW është djegur në pjesën e pasme të saj pasi ndërhyrja në kohë e zjarrfikëses ka bërë që mjeti të shpëtojë në një pjesë të tij. Megjithatë në brendësi nuk është gjetur ndonjë provë të qënësishme.