Fier
Një tjetër shpërndarës droge, në pranga, si rezultat i aksioneve të kryera në vijim të megaoperacionit “Tempulli”.
30-vjeçari i arrestuar u kap në flagrancë në një lagje të qytetit, me doza kokaine me vete dhe në automjet, si dhe me një shumë parash të përfituara nga shitja e dozave.
Sekuestrohen dozat, paratë, automjeti me të cilin kryhej shpërndarja dhe 5 celularë.
Nga kontrollet intensive në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura te inteligjenca policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, konstatuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Për rastin u arrestua në flagrancë, në lagjen “8 shkurti”, shtetasi E. K., 30 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetin e 30-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e tyre dhe 5 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.