Ndërsa e nesërmja do të sjell jashtë parlamentit demokratët për ta mbrojtur ish-kryeministrin në ditën kur votohet heqja e imunitetit për ti hapur rrugë arrestimit të tij.
“Zgjidhja vjen nga një protestë para institucionit që funksionon si në diktaturë. Për dijeni në botë protestohet para organeve të drejtësisë. Thirren të protestojnë në mbrojtje të interesit publik. Protesta është e vonuar. Është koha të veprojmë”- tha Berisha.
Protesta e të enjtes mund të ketë të papritura me sloganin “o sot o kurrë”, por nëse do të ketë zhvendosje të saj drejt prokurorisë së posacme , këtë Berisha do ua lërë në dorë demokratëve.
“Intenerarin nuk e caktoj unë. Ne ecim me një program diskret, në kohën e duhur do ta merrni vesh, nëse xhelatë të ligjit dhe të së drejtës mendojnë se mund të taposin afera të certifikuara 130 milionë euro të zhdukura, apo ai tjetri e çojnë për hetim, konflikt interesi, ata e meritojnë të trajtohen si armiq të ligjit dhe të së drejtës”- u shpreh Berisha.
Ashtu siç paralajmëroi edhe Top Channel, Berisha nuk përjashton kthimin e selisë blu në qelinë e tij për arrestin shtëpiak. Por vendimin përfundimtar do e marr vetëm me këshillimin e avokatëve, gjithmonë me qëllimin që të mos heqë nga drejtimi i PD-së.
“Nesër Shqipëria, ose me këtë, renditet me vendet që arrestojnë liderin e opozitës. Nuk kanë hequr dorë ata nga drejtimi i opozitës, përkundrazi po e drejtojnë dhe fuqishëm.Dhe unë do e drejtoj me vendosmëri drejt fitores këtë opozitë”- tha Berisha.