Arrestohet një nga shqiptarët që u përfshinë në përplasjen me tre shtetas grekë mbrëmjen e së shtunës, jashtë një lokali në “Gazi” të Athinës. Referuar mediave vendase, në pranga është vendosur Emiliano Jakupi, 33-vjeçari nga Korça, nën akuzat për bashkëpunim në tentativë për vrasje. Autori është ende në arrati.
Autoritetet greke kanë gjetur edhe mjetin në të cilën udhëtonin autorët. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet që të rinjtë shqiptarë e kishin marrë automjetin me qira. Policia greke është ngritur në këmbë për kapjen e autorit shqiptar, i cili konsiderohet si person të rrezikshmërisë së lartë, si pasojë e historisë së shkuar kriminale.
Dy shqiptarët akuzohen për plagosjen e 3 shtetasve greke. Nga pamjet e kamerat e sigurisë duken dy shqiptarët që zbresin nga automjeti. Ata kanë debatuar me tre të rinj nga Kreta. Pas një debati banal, pasagjeri i mjetit godet me grusht një nga grekët. Aty situata u përshkallëzua në një përplasje fizike, me grushta.
Në atë moment drejtuesi i automjetit, shqiptar, nxori armën dhe qëlloi mbi grekët. Dy vëllezërit të moshës 29 dhe 34 vjeç, janë në gjendje të rëndë në Klinikën e Neurokirurgjisë, me dëmtime në kokë. Me plagë më të lehta po trajtohet edhe shoku i tyre 29-vjeçar.