Mbështetja e sektorit bankar me likuiditet nga Banka e Shqipërisë ka arritur nivelet më të larta historike në muajin shtator-tetor.
Statistikat tregojnë se në fund të muajit tetor, huaja nëpërmjet marrëveshjeve të anasjella të riblerjes (REPO) arriti në 62.5 miliardë lekë, vlera më e lartë e raportuar ndonjëherë nga banka qendrore. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e raportuar e financimit me REPO është në rritje me pothuajse 41%.
Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht kryhet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellja të riblerjes, ndërsa instrumentet e tjera, si, për shembull, kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë.
Rritja e financimit të sektorit bankar me instrumente afatshkurtër, siç janë REPO-t, në thelb është tregues i mungesës afatshkurtër të likuiditetit në sektorin bankar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia në lekë është rritur ndjeshëm këtë vit, ndërsa depozitat në monedhën vendase janë praktikisht në stanjacion. Në fund të muajit shtator, rritja vjetore e depozitave në lekë rezultonte vetëm 0.3%. Ndërkohë, portofoli i kredisë në monedhën vendase për të njëjtën periudhë ishte në rritje me 9.3% me bazë vjetore.
Sektori financiar ndodhet në një moment kur likuiditeti në Euro është mjaft i bollshëm, për shkak të rritjes së lartë të depozitave në monedhën europiane (rritje vjetore me 16.5% në fund të muajit shtator, ndërsa si rrallë herë, likuiditeti në lekë paraqitet më i shtrënguar.
Kjo mund të jetë gjithashtu një nga arsyet që kanë çuar në forcimin e mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Sipas ekspertëve të sektorit bankar, një faktor me ndikim të lartë në mungesën e likuiditetit në monedhën vendaset mund të jetë suficiti i lartë që ka akumuluar buxheti i shtetit.
Mbështetur në raportimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit shtator suficiti buxhetor kaloi vlerën e 51 miliardë lekëve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Po në shtator, vlera e financimit me REPO në fund të muajit arriti në 61.3 miliardë lekë, ndërsa në tetor u rrit më tej në 62.5 miliardë lekë.
Nivelet shumë të larta të suficitit buxhetor duket se e kanë tharë disi likuiditetin në Lekë dhe i kanë detyruar bankat të përdorin në një masë më të madhe instrumentet e mbështetjes me likuiditet nga banka qendrore.
Përdorimi më i lartë nga sektori bankar i instrumenteve të huamarrjes nga Banka e Shqipërisë ndikon në një transmetim më të shpejtë të politikës monetare në ekonomi, për aktivitetin financiar në monedhën vendase.
Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit (norma e interesit e marrëveshjeve të riblerjes njëavore) në 3.25% në fillim të muajit nëntor.
Kjo rritje u reflektua menjëherë në yield-et e bonove 12-mujore të thesarit, që në ankandin e kësaj jave u rritën në 3.31%, nga 3.1% që kishin qenë në fund të muajit tetor./MONITOR