Turizmi grek ka shënuar një rekord të ri të ardhurash deri më tani këtë vit, sipas shifrave zyrtare, ndërkohë që ka ende kërkesë të lartë edhe gjatë vjeshtës.
Ky fakt përforcon vlerësimet se viti do të mbyllet me fatura udhëtimesh prej më shumë se 20 miliardë eurosh dhe afro 35 milionë vizitorë të huaj.
Kërkesa e fortë për pushimet e vjeshtës në Greqi, nga tregje si Gjermania dhe Britania e Madhe, është edhe arsyeja që agjencia më e madhe europiane e udhëtimeve, TUI AG, ka zgjatur aktivitetin e saj në këtë vend deri në mes të nëntorit, duke shtuar më shumë se 30 pasagjerë për fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Greqisë si dhe Turqisë.
Kërkesa në tetor është gjithashtu 8% më e lartë se vitin e kaluar, sipas asaj që TUI njoftoi në një përditësim të rregullt. Ndërkombëtarisht kompania realizoi 13.7 milionë rezervime për këtë verë, 5% më shumë se vitin e kaluar dhe afër niveleve para pandemisë – pra në 96% të 2019-ës.
Sipas të dhënave të Bankës së Greqisë, të ardhurat nga udhëtimet gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti arritën në 10.321 miliardë euro, krahasuar me 9.116 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2019, vitin e fundit para pandemisë. Kjo është një rritje në përqindje prej 13.21% – pra 1.2 miliardë euro.
Krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit 2022, arkëtimet janë rritur me 20.2%, afërsisht njësoj me ardhjet e udhëtarëve të huaj në Greqi +21.9%, sipas raportimeve të bankës qendrore. Këto shifra përfshijnë vetëm një nga tre muajt e fortë sezonal të turizmit grek.
Të dhënat për muajin gusht dhe shtator pritet të konfirmojnë këtë prirje, ndonëse me ritme më të buta.
Megjithatë, vlerësohet se në planin afatmesëm, ndryshimet klimatike dhe ngjarjet ekstreme të motit do të devijojnë një pjesë të kërkesës për pushime drejt destinacioneve më të freskëta verore.: SCAN