Problematika e mprehtë e fuqisë punëtore tashmë është e pranishme në të gjitha sektorët e ekonomisë.
Edhe pse shumë kompani prodhuese dhe të shërbimit kanë nisur shqyrtimin e mundësimeve për punësime me të huajt, veçanërisht nga kompanitë e rekrutimit të Dubait, disa prej tyre pohojnë se kanë nisur të plotësojnë vendet bosh të burimeve njerëzore me specialistët e larguar që po rikthehen.
Dritan Cacaj drejtuesi i mobilierisë “Trin Mobileri” tha më herët se prej shtatorit të 2022 sektorin vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për këtë arsye i ishte drejtuar një agjencie punësimesh për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti me eksperiencë të ngjashme në vendin e tyre për përpunimin e drurit.
Cacaj pohon për Monitor se nuk punësoi numrin e punonjësve të huaj të parashikuar, pasi mungesën në fuqinë punëtore e plotësoi me specialistët e përpunimit të drurit të rikthyer nga emigracioni.
“Kemi punësuar 11 punonjës, specialistë të përpunimit të drurit vendas të cilët janë rikthyer nga emigracioni. Kryesisht janë të larguar të vetëm në Gjermani, të cilët kishin familjet në Shqipëri dhe një kategori tjetër janë të larguarit pa dokumente në Angli të cilët i kanë rikthyer në vend”, pohoi ai.
Cacaj shton se numri i të rikthyerve mbetet ende i vogël krahasuar me kërkesën e sektorin për punësime. Rritja e rrogave në nivel deri 120 mijë lekë në muaj për specialistët e përpunimit të drurit dhe pagat deri 80 mijë lekë në muaj për gjysmë specialistët sipas tij është një ndër arsyet kryesore që do të garantojë moslargimin e punonjësve vendas.
Ndërsa çmimet e lëndëve të para janë normalizuar duke iu rikthyer niveleve të para pandemisë Covid-19, rritja e kostos prodhuese deri 25% vetëm nga rritja e pagave, sipas përfaqësuesit të “Trin Mobileri” ka shtrenjtuar çmimet e mobilieve deri 15%. Pavarësisht rritjes së çmimeve kërkesa për mobilim mbetet e lartë.
Ndryshe nga prodhuesit e mobilieve, në pritje të punësuarve nga Egjipti është ai i transportit të mallrave të importit. Nga kompania e transportit të mallrave me kamionë “Balkan Trans Albania” u pohua se për shkak të emigracionit u mungon 50% e fuqisë punëtore, ndërsa vijojnë diskutimet me kompanitë e huaja rekrutuese nga Dubai për shqyrtimin e mundësive të punësimeve nga vendet e huaja.
Përfaqësues të sektorit pohojnë se paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro, por sektori është në pamundësi reale për të punësuar drejtues kamioni vendas, pasi shumica janë larguar drejt Gjermanisë. Rrogat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro. Monitor