Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të Rudina Degjonit, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm pranë Spitalit Memorial Fier, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.
Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurorimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve,duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik.