Tuneli Fehmarnbelt do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë nëpërmjet një udhëtimi me tren 7-minutësh.
Projektet e transportit po bëhen gjithnjë e më ambicioze.
Së pari, ishte lajmi se ura midis Siçilisë dhe kontinentit italian mund të vazhdojë ndërtimin.
Më pas ishte lajmi se një tunel nënujor mund të lidhë Europën dhe Afrikën deri në vitin 2030.
Dhe këtë javë, pjesa e parë e një tuneli tjetër nënujor përfundoi – midis Danimarkës dhe Gjermanisë.
Së shpejti do të jeni në gjendje të kaloni midis Skandinavisë dhe Europës Qendrore nëpërmjet një tuneli të ri nënujor.
Tuneli Fehmarnbelt është aktualisht në ndërtim e sipër, por sapo të ndërtohet, do të jetë tuneli më i gjatë nënujor në botë, që shtrihet 18 km përgjatë detit Baltik.
Aktualisht, mënyra e vetme për të udhëtuar mes dy vendeve është nëpërmjet një udhëtimi me traget 45 minuta, por koha e udhëtimit do të ulet në mënyrë dramatike, sapo të përfundojë tuneli Fehmarnbelt.
Tuneli do të përmbajë një autostradë me dy korsi dhe një hekurudhë me dy shina. Rruga me makinë do të zgjasë dhjetë minuta, ndërsa udhëtimi me tren do të zgjasë vetëm shtatë.
Tuneli do të përfundojë në pjesë, dhe një pjesë tashmë është e përfunduar. Seksioni prej 217 metrash, u përurua nga mbreti danez para disa ditësh.
Planet për tunelin janë pjesë e angazhimit të sektorit të transportit, ndaj Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.
Pra, ku saktësisht do të fillojë dhe ku do të përfundojë tuneli? Në Danimarkë, hyrja e tunelit do të vendoset në Roedby, në ishullin jugor të Lolland, dhe do të lidhet me Puttgarden në Gjermaninë veriore.
Kjo lidhje e re do të shkurtojë në mënyrë drastike kohën e udhëtimit, për udhëtarët dhe turistët – rruga hekurudhore midis Kopenhagës dhe Hamburgut, për shembull, pritet të shkurtohet me rreth dy orë.
Tuneli parashikohet të kushtojë rreth 4.8 miliardë euro. Qeveria daneze, e cila po financon projektin, do të zbatojë një takse për të kompensuar koston.
I gjithë projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2029.
/: Monitor