Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 ka përfunduar më 8 nëntor 2024. Aktualisht, Agjencia për Zhvillimin bujqësor dhe Rural është ende në proces të kontrollit administrativ, ku afati i fundit për dorëzimin e dokumentave është shtyrë deri më 28 Shkurt 2025.
Sipas AZHBR-së, ndërkohë, po vazhdon kontrolli në terren për verifikimin e aplikimeve që janë pranuar për subvencion. Paralelisht, disa kontrata janë nënshkruar dhe disbursimi i fondeve ka nisur, duke lejuar fermerët që kanë plotësuar kriteret e kualifikimit dhe kanë lidhur marrëveshjet përkatëse të nisin realizimin e projekteve
Referuar të dhënave zyrtare të AZHBR, Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024 ka regjistruar gjithsej 404 aplikime. Nga këto, deri më sot, 360 aplikime kanë përmbushur kriteret e përzgjedhjes.
Interesi më i lartë ka qenë për investime në mekanizimin e fermave me 305 aplikime dhe për ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimentet për rritjen e shpendëve me 49 aplikime.
Ndërkohë, numri i aplikimeve për masat që lidhen me serrat diellore dhe akuakulturën ka qenë më i kufizuar. Rajonet me kërkesën më të lartë për këtë skemë janë Fieri, Vlora dhe Korça, duke reflektuar interesin e fermerëve për mbështetje në këto zona me tradita bujqësore dhe blegtorale.
Fondi për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024, i vendosur në dispozicion nga buxheti i Qeverisë Shqiptare është 1.5 miliardë lekë, me shtrirje dyvjeçare, që do të disbursohen në formën e granteve deri në 50% të vlerës së faturave tatimore të investimit.
Ky financim mbulon fushat kryesore të investimeve, si ndërtimin e serrave diellore, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, blerjen e mekanikës bujqësore dhe investime në akuakulturën detare.
Mbështetja financiare është një iniciativë e rëndësishme për modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke siguruar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të konkurrencës në tregjet lokale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në rajonet me potencial të lartë prodhimi.