Me një ofertë prej rreth 36 mln euro, pa TVSH Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese për rehabilitimin e aksit rrugor Fier – Kthesa e Patosit – Ballsh – Fratar.
Fondet për këtë aks u vunë në dispozicion me ndryshimet që iu bënë buxhetit të shtetit pak kohë më parë, teksa fitues është shpallur kompania “Gjoka Konstruksion”.
Sipas dokumenteve të tenderit aktualisht rruga Fier – Fratar është në gjendje tejet të amortizuar, pasi prej vitesh nuk janë kryer investime.
“Si pasojë e zhvillimeve demografike të ndodhura në 20 vitet e fundit, kjo rrugë në disa pjesë të saj kalon në qendrat e banuara, rritja e të cilave në numër popullsie dhe mungesa e investimeve, në rrugë, ka çuar njëkohësisht edhe në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore”, – thuhej ndër të tjea në dokumentet e tenderit.
Ndërkaq, segmenti ku do të ndërhyhet ka një gjatësi prej 43.6 km, përfshirë qytetin e Ballshit, me gjatësi prej 0.9 km. Pjesa tjetër ndahet në 3 segmente, ku i pari nis nga Fieri, deri në Kthesën e Patosit, me gjatësi 5.9 km.
Segmenti i dytë përfshin aksin kthesa e Patosit – Hyrje Ballsh, me një gjatësi 17.2 km, ndërsa i treti salje Ballsh – Fratar, me një gjatësi 19.6 km.