Vrasja e Ivanoviçit,shqetësim i mediave boterore për rritjen e tensionit Serbi-Kosovë

62

Vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç në Mitrovicë është pasqyruar gjerësisht në median botërore, me shqetësimin kryesor se ky akt mund të çojë në hapa prapa në marrëdhëniet midis dy vendeve por edhe për stabilitetin në rajon.

Të gjitha agjencitë dhe gazetat kanë vënë në dukje faktin që Ivanoviç u akuzua për vrasjen e katër shqiptarëve dhe u dënua me nëntë vjet burg, vendim i ndryshuar më pas. Ai ishte në arrest shtëpie deri në prill 2017 dhe më pas mund të lëvizte lirisht.

Por një lider i opozitës, Sasha Jankoviç, vuri në dukje se qeveria e zotit Vuçiç, të cilën ai e përshkroi si shtypëse, ka qenë tepër kritike kundër Ivanoviç në të kaluarën. “Kushdo që ta ketë bërë këtë – dhe ne nuk e dimë se kush është – punon kundër interesave të serbëve, të Serbisë, popullit shqiptar dhe kujtdo tjetër”, tha ai.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç këmbënguli se qeveria e tij nuk kishte dorë në aktin terrorist dhe fajësoi shqiptarët, të cilët duan të marrin nën kontroll enklavat serbe.

Deutsche Welle shton se “vrasja do ta rëndojë konfliktin që vlon”.The Guardian vë në pikëpyetje rolin e forcave ndërkombëtare paqeruajtëse, të cilat “mbyllin një sy para krimit të organizuar”.

“Vdekja e tij mund ta komplikojë më tepër marrëdhënien e trazuar midis Kosovës e Serbisë, e cila vazhdon ta konsiderojë rajonin si provincë rebele. Ajo ngre pyetje edhe për misionet ndërkombëtare paqeruajtëse dhe ligjzbatuese, për të cilat kritikët thonë se mbyllin një sy para krimit të organizuar”, shkruan gazeta angleze.