Shefi i CIA-s takim sekret me Kim Jong Un në Korenë e...

Shefi i CIA-s takim sekret me Kim Jong Un në Korenë e Veriut

38

 

Raportimet e mediave kanë njoftuar se i nominuari i presidentit amerikan, Donald Trump për Sekretar të Shtetit, drejtori i CIA-s Mike Pompeo është takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un në kohën kur Trump dhe Kim pritet të takohen me njëri-tjetrin.

Raportimet për takimin në mes të Kimit dhe Pomepos janë bërë të ditura më 17 prill nga The Washington Post, e cila ka thënë se të dy janë takuar në një vizitë sekrete në Korenë Veriore gjatë fundjavës të Pashkëve.

Raporti ka cituar dy individë “me njohuri të drejtpërdrejtë për udhëtimin”.
Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar më pas një zyrtar të lartë amerikan duke konfirmuar se Pompeo është takuar me Kimin.

Sipas The Independent, fundjavën e pashkëve në një takim sekret, drejtori i CIA-s dhe Kim jong-u diskutuan për takimin e drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-ut. Takimi i tyre do të përfaqësoj nivele të larta komunikimi midis dy kombeve që kanë vendosur t’i kthehen diplomacisë. Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders refuzoi ta konfirmojë takimin duke thënë se administrata nuk komenton udhëtimet e drejtorit të CIA-s.

Trump, që ka nominuar Pompeon për ta zëvendësuar ish-Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson ka thënë më 17 prill se Uashingtoni dhe Phenjani kanë zhvilluar bisedime direkte “në nivelit tejet të lartë”.

Një samit në mes të Kimit dhe Trump pritet të ndodhë në muajt vijues në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike nga shumë vende botërore për të zgjidhur konfliktin për programin bërthamor të Koresë Veriore.