Projekti 5 milionë euro ne KARAVASTA,do rrisë peshq dhe bimë njëkohësisht

Projekti 5 milionë euro ne KARAVASTA,do rrisë peshq dhe bimë njëkohësisht

290

A e dini se çfarë është një fermë akuaponi? Është një lloj ferme e cila kombinon dy sisteme: akuakulturën (rritjen e kërmijve, peshqve, karavidheve në vaska) dhe hidroponinë (kultivimin e bimëve në ujë) në një të vetme. Ky lloj sistemi konsiderohet si inovator dhe ka një përhapje jo masive por një projekt konkret ka mbërritur tashme pranë institucioneve shqiptare për një fermë të ngjashme akuaponike në Karavasta. Komiteti i Investimeve Strategjike madje I ka dhënë statusin e investimit strategjik për një periudhë dy vjeçare.

 

Projekti në Karavasta

Kompania Aquatiq sh.p.k ka kërkuar që të përfitojë statusin e investimit strategjik lidhur me një projekt të sajin për një fermë akuaponike që kombinon rritjen e kafshëve ujore dhe kultivimin e bimëve në ujë në një sipërfaqe 1.3 hektarë në Karavasta. Kompania parashikon që të investojë të paktën 5.1 milionë euro ndërkohë që përgjatë fazës së operimit  parashikohet që të punësohen 50 persona. Lidhur me argumentet e dhëna për projektin, nga ana e Komitetit të Investimeve Strategjike është miratuar statusi dhe mundësia që trualli të kalojë përmes procedurës 1 euro me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Sakaq kompania duhet që të nënshkruajë një marrëveshje të garancive financiare me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Kompania Aquatiq është krijuar në janar të vitit 2017 dhe ka si aksioner, Endlers Kertusha.

Duke qenë se tashmë për një afat dyvjeçar kompania ka statusin e investimit strategjik ajo do të asistohet me procedura të përshpejtuara si dhe lehtësim të burokracive në sigurimin e dokumentacionit dhe kalimit të procedurave.

Ky është projekti i dytë që kalon në zonën e Karavastasë me statusin strategjik në shumë pak kohë edhe pse tipologjia e tyre është krejtësisht e ndryshme. Më herët bëhej fjalë për një plantacion me 800 hektarë për kultivimin e shegëve, goji berry, finger lime dhe avokado. Është një projekt i Agro Iliria Group sh.p.k. ku pritet të investohen të paktën 6.6 milionë euro.