OSHE llogarit nje bilanc me humbje ne 1,2 miliarde leke

OSHE llogarit nje bilanc me humbje ne 1,2 miliarde leke

32

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raportoi se ka mbyllur vitin 2017 me një humbje prej 1.2 miliardë lekësh. Këto janë shifrat e bilancit paraprak të kompanisë ku ndër të tjera theksohen edhe arsyet se pse kompania ka këtë humbje. Ashtu sikurse pritej një ndër elementët kryesorë është importi i theksuar i energjisë në verën e vitit të kaluar që erdhi si rezultat i thatësirës së zgjatur.

“OSHEE u detyrua të shpenzonte për blerjen e energjisë dhe transmetimin 14.2 Miliard Lekë më shumë se sa shpenzimi i planifikuar ose rreth 106.7 Milion EURO. Si rezultat i rritjes së jashtëzakonshme të shpenzimeve për energji OSHEE do të mbyllë vitin financiar 2017 me humbje prej rreth 1.2 miliard Lekë” thuhet në raportin e kompanisë paraqitur si argument pranë Entit Rregullator të Energjisë.

Një vit më parë kompania raportoi një fitim prej 18.7 miliardë lekësh.

OSHEE analizon se vitin e kaluar u ndërthuren një seri faktorësh që ndikuan në situatën e përkeqësuar të importeve ku së pari ishte mosplotësimi I sasisë së planifikuar të energjisë që do të merrej nga KESH dhe HEC-et e vegjël. Së dyti pati një rritje të konsumit përtej parashikimit dhe së treti ishte rritja e çmimit të importit.

Përpos  situatës së krijuar në 2017, e cilësuar nga OSHEE si më e vështira për nga efektet në 25 vitet e fundit, kompania ka nënvizuar se i ka qëndruar besnike planit të saj të investimeve që ishte 9.7 miliardë lekë po aq sa në vitin 2016.

 

Të ardhurat, shpenzimet dhe detyrimet

Të ardhurat totale të kompanisë në fund të vitit 2017 ishin 54.8 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 2.2 për qind apo 1.16 miliardë lekë.

Të ardhurat nga shitja e energjisë të cilat përbejnë rreth 98% të totalit të të ardhurave u rriten 2% duke shënuar rritje në të gjitha grupet e konsumatorëve. Rritja e të ardhurave ka ardhur në pjesën më të madhe nga masat për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe uljen e humbjeve si dhe si pasojë e rritjes së konsumit” vlerëson kompania e shpërndarjes.

Shpenzimet kanë pësua rritje dhe pjesa më e madhe lidhet me blerjen e energjisë që është edhe zëri kryesor në gjithë aktivitetin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Konkretisht e shpenzimeve të  blerjes së energjisë në vitin 2017 ishin rreth 61 % më të larta se ato të vitit 2016 ose 13 .2 miliard Lekë.

“Sipas planit të miratuar për vitin 2017 OSHEE do të blinte rreth 764 Gwh energji në tregun e importit dhe në fakt u blenë 2,539 Gwh ose 1,775 Gwh më shumë duke shkaktuar rritje të ndjeshme të kostove dhe rënie të performancës financiare të shoqërisë, duke pasur parasysh edhe rritjen e ndjeshme të çmimit të energjisë në tregun e importit, i cili nga 6.4 Lekë/Kwh që ishte paraparë në planin e vitit 2017 u rrit në rreth 8.9 Lekë/Kwh” thuhet në raport.

Situate e importeve të larta duket se ka pasur një efekt domino në disa zëra ku mes të tjerave edhe rritja e detyrimeve që OSHEE ka ndaj furnitorëve. Referuar dokumentit të kompanisë së shpërndarjes rezulton se rritja totale e detyrimeve prej 3.6 miliard ose 3.7 % ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të furnizimit të sasisë së planifikuar të energjisë nga KESH për shkak të thatësirës e cila detyroi OSHEE të rrisë furnizimin nga Tregu i Lire me energji të importuar në rritje të detyrimeve ndaj furnitorëve. Për shkak të kësaj gjendje dhe mungesës së likuiditetit OSHEE u detyrua të merrte kredi akorduar nga qeveria shqiptare.

 ne