BE:Shqipëria një vend në Ballkan, ku bizneset e suksesshme kanë lidhje me...

BE:Shqipëria një vend në Ballkan, ku bizneset e suksesshme kanë lidhje me politikën dhe korrupsionin.

88

Shqipëria është një vend tipik në Ballkan, ku bizneset e suksesshme janë të tilla se kanë lidhje me politikën dhe korrupsionin, referon raporti i ekonomistëve të BERZH, Peter Sanfey dhe Jakov Milatović.
Ata gjithashtu dhanë këshilla se si mund të rritet produktiviteti, duke nxitur zhvillimin e biznesit të vogël

Vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse kanë bërë hapa pozitivë pas konflikteve me luftëra të dy dekadave më parë, po vuajnë nga nivelet e ulëta të produktivitetit që është aq i rëndësishëm për të arritur standardet e jetesës së Bashkimit Europian.
Nivelet e larta të korrupsionit dhe lidhjet e biznesit me politikën janë fenomene normale për vende si Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, saqë në vend të karrierës me meritokraci janë lidhjet me bazë interesi, vëren Raporti i Tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2017-2018, i parë në këndvështrimin e ekonomistëve Peter Sanfey dhe Jakov Milatović.

Vendet e Ballkanit – Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia i kanë standardet e jetesës shumë më poshtë se BE-ja. PBB për frymë është përafërsisht sa gjysma e vendeve të BE-së Lindore (Polonia, Hungaria), sa një e treta e vendeve të BE-së Jugore (p.sh. Italia, Spanja, etj.) dhe sa çereku i vendeve më të pasura të BE në Europën Perëndimore. BERZH analizon se, sipas të gjitha gjasave, vendet e Ballkanit Perëndimor, në skenarin bazë, kapin standardet e BE-së në vitin 2078, në skenarin optimist në vitin 2053 dhe në atë pesimist në vitin 2220.

Arsyet që mbajnë peng këtë rritje produktive që mbetet e ulët sipas analizës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim variojnë nga vite të tëra me investime të ulëta, institucione të dobëta dhe një mjedis biznesi të vështirë.
“Sektori privat është kontribuuesi kryesor në ekonomi në të gjitha këto vende, gjithsesi shteti ka një rol dominues në disa industri kyçe që kanë parë një axhendë të ngjeshur privatizimesh. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dominojnë sektorin privat dhe llogarinë për të paktën dy të tretat e vlerës së shtuar në mesatare”, thuhet në analizë.

 

Shqipëria, me produktivitetin më të ulët në rajon

Mesatarisht, produktiviteti i punës në bizneset e Ballkanit Perëndimor është rreth 60% në raport me vendet e BE-së, analizon BERZH. Të dhënat tregojnë se ky boshllëk nxitet nga produktiviteti i ulët në sektorin e prodhimit. Produktiviteti i këtij sektori në Ballkan është rreth 55% e mesatares së BE-së. Në Ballkan, prodhimi është më produktiv në Serbi dhe në Bosnjë, pasi të dy vendet kanë një bazë të fortë industriale. Shërbimet janë më produktive sesa prodhimi në të gjitha vendet e BB-së, me përjashtim të Shqipërisë, e cila paraqitet me nivelin më të ulët të produktivitetit si në prodhim, edhe në shërbime.

Ekonomia e rajonit dominohet nga bizneset e vogla, të cilat kanë më pak se 10 punonjës. Mesatarisht, rreth 80% e firmave në rajon kanë më pak se 10 punonjës, krahasuar me rreth 75% në vendet e Europës Perëndimore. Në Shqipëri, kjo përqindje është edhe më e lartë, duke zënë mbi 95% të sipërmarrjeve.

Ekonomistët e BERZH e shohin me rëndësi shpërndarjen e punësimit nëpër firmat me madhësi të ndryshme. Bizneset më të vogla tentojnë të investojnë më pak në kapitalin njerëzor dhe fizik dhe në pronësinë intelektuale. Për pasojë, ato priren të jenë më pak produktive sesa firmat më të mëdha. Bizneset e vogla në rajon punësojnë një përqindje më të madhe të fuqisë punëtore në krahasim me vendet e tjera të BE-së.
Analiza tregon se rritja e produktivitetit në bizneset e vogla dhe shumë të vogla është kryesisht e varur nga investimi. Në të kundërt, kjo marrëdhënie është e dobët kur firmat punësojnë më shumë se 20 njerëz.

BERZH vlerëson se shkalla e ulët e tregjeve dhe bizneseve për t’u rigjeneruar frenon zëvendësimin e firmave joproduktive me kompani të reja inovative dhe pengon një shpërndarje më eficiente të burimeve. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, tha se për këtë arsye, duhet bërë më shumë për integrimin e bizneseve të vogla në rrjetet globale të prodhimit, gjetja e kapitalit njerëzor, aksesi në sistemin financiar apo në tregjet e kapitalit.
Sejko në kontekstin e Raportit të BERZH, ka njoftuar se, Banka e Shqipërisë po përpiqet të nxisë një shpërndarje më eficiente të kreditimit bankar, në mënyrë që të jetë sa më pak i fragmentarizuar apo i përqendruar në sektorë të caktuar të ekonomisë.

“Ne po ndjekim nga afër gjendjen financiare dhe huamarrëse të ndërmarrjeve mikroekonomike, përfshirë këtu edhe ato në sektorin bujqësor. Këto subjekte kanë një peshë të konsiderueshme në vlerën e shtuar bruto dhe në numrin e të punësuarve në Shqipëri. Sipas anketimeve tona së fundmi, shqetësimet parësore për firmat e vogla janë konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak aksesi i kufizuar në financim apo kostoja e ofrimit të produkteve bankare”, – tha guvernatori.

Sejko tha se Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se rritja e produktivitetit, sidomos për firmat më të vogla, është mjaft e rëndësishme për konvergjencën ekonomike të vendit. Përmbushja e nevojave për kapital investues është një sfidë kryesore për prodhuesit e vegjël, duke qenë se ato kanë pak ose aspak histori kredimarrëse në sistemin financiar.

“Deri tani, konvergjenca e produktivitetit të vendeve tona me ato të zhvilluara është udhëhequr më tepër nga rialokimi i burimeve nga ndërmarrjet me pronësi shtetërore në ato me pronësi private. Megjithatë, ky proces nuk ka arritur të shkojë më tutje drejt zhvillimit të produkteve inovative. Nëse këto tendenca nuk ndryshojnë, ka të ngjarë që bizneset shqiptare dhe rajonale të humbin konkurrueshmërinë kundrejt partnerëve të tyre në Bashkimin Europian”, – analizoi Guvernatori.

Në një plan të përgjithshëm, kjo do të thotë se konvergjenca ekonomike dhe barazia e të ardhurave me vendet e BE-së do të vonohet ndjeshëm. Në një aspekt më specifik, procesi i integrimit europian do të ngadalësohet, për sa kohë që bizneset tona nuk do të jenë në gjendje të përballojnë presionet e konkurrencës që ka ky treg. Për këtë arsye, mendoj se autoritetet rajonale dhe shqiptare duhet vazhdojnë zbatimin e reformave strukturore, sugjeroi Guvernatori.

 

Domimanca e të vegjëlve

Ekonomia e rajonit dominohet nga bizneset e vogla, të cilat kanë më pak se 10 punonjës.
Mesatarisht, rreth 80% e firmave në rajon kanë më pak se 10 punonjës, krahasuar me rreth 75% në vendet e Europës Perëndimore. Në Shqipëri, kjo përqindje është edhe më e lartë, duke zënë mbi 95% të sipërmarrjeve.

 

Lidhjet me politikën i bëjnë bizneset e suksesshme në Shqipëri

Në Shqipëri, lidhjet politike janë domosdoshmëri për të garantuar suksesin në biznes. Jakov Milatovic, ekonomist e asociuar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka gjetur se në vendet e Ballkanit, lidhjet politike janë shpeshherë shkaku i suksesit në biznes.
Shqipëria u rendit e treta pas Maqedonisë dhe Bosnjës, ku lidhjet politike prevalojnë në suksesin e bizneseve. 43% e firmave të anketuara në Shqipëri janë përgjigjur se lidhjet me politikën garantojnë ecurinë pozitive të aktivitetit, në një kohë që në vendet e tjera të rajonit dhe në ato në zhvillim, përqindja e bizneseve që mendojnë në këtë mënyrë është shumë më e ulët.

Ekonomisti i BERZH tha se sektori privat e sheh korrupsionin si një pengesë të madhe. 23% e bizneseve në rajon e konsiderojnë korrupsionin si një pengesë të madhe ose shumë të rëndë. Sipas Milatoviç, lidhjet politike janë parë nga shumë njerëz si çelësi i suksesit në jetë.
Sondazhi ka treguar se më shumë se një e treta e njerëzve mendojnë se lidhjet politike në Ballkan kanë më shumë rëndësi se sa përpjekjet që vijnë nga puna, inteligjenca dhe aftësitë, të cilat duhet të ishin çelësi i suksesit në jetë. Për pasojë, në Ballkan mungon përzgjedhja për shkak të meritokracisë dhe në vend të saj, prevalon klientelizmi, për shkak të interesave.

Ekonomisti i BERZH thotë se bizneset në rajon paguajnë kosto të larta të korrupsionit. Firmat në Ballkan humbasin 13.2% të shitjeve të tyre vjetore, për shkak të katër pengesave në mjedisin e biznesit, përkatësisht: krimit, mungesës së energjisë elektrike, infrastrukturës dhe korrupsionit.
Duke pasur parasysh se këto katër përmasa përfaqësojnë vetëm një të katërtën e 16 pengesave të përdorura në anketë, humbja totale për shkak të mjedisit të papërshtatshëm të biznesit është padyshim shumë më e lartë. Teksa në ekonomitë e zhvilluara, problematikat në klimën e biznesit lidhen me madhësinë e tregut, eficencën e tregut të punës, përdorimi efikas i talenteve, teknologjinë etj.
Për pasojë, punëdhënësit po përballen me mangësi aftësish në punonjësit e rekrutuar. Mesatarisht 12% e firmave në Ballkan raportuan se forca punëtore ka arsim të pamjaftueshëm dhe kjo po shihet si një mangësi për perspektivën e tyre. Mospërputhja e aftësive shihet kryesisht në sektorët e prodhimit dhe të turizmit.

 

Çfarë duhet bërë

BERZH sugjeron se reformat e orientuara drejt BE-së duhet të rriten. Është e rëndësishme që momenti i përafrimit të BE-së të ruhet dhe të përshpejtohet, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe sundimin e ligjit. Po BERZH thotë se nevojiten reforma të mëtejshme të mjedisit të biznesit.

“Fushata kundër informalitetit ka dhënë rezultate të rëndësishme, por nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemet infrastrukturore si furnizimi me energji elektrike, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave.
Momenti i reformës në sektorin e energjisë duhet të përshpejtohet. Nevojiten përmirësime të mëtejshme në qeverisjen dhe praktikat operacionale të Ndërmarrjeve Shtetërore në sektorin e energjisë elektrike për ta bërë pozicionin e tyre financiar të qëndrueshëm, thuhet në rekomandimet e BERZH.