Asambleja:Qendrim ose jo ne detyre i kryetareve te PS ne Fier,Roskovec

339

FJALA E PLOTE E DEPUTETIT TAULANT BALLA
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste,

Shoqe e shokë,

Miq të dashur,

Kemi hyrë në një vit të ri politik.

Duhet të vazhdojmë të qeverisim me largpamësi, kurajë e vullnet për vijimin e reformave që kemi nisur; me ritëm edhe më të lartë e me vendosmëri edhe më të madhe,

përballë çdo kundërshtie apo rezistence për ruajtjen e status quo-së.

Por mbi të gjitha duhet të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj atyre që na votuan, po edhe ndaj atyre që nuk na votuan, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Dhe kur them duhet të qeverisim, nuk kam parasysh vetëm e thjesht qeverinë, por grupin parlamentar dhe Partinë Socialiste si boshti i koalicionit të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm.

Prandaj po e rikujtoj sot atë çka Kryetari i Partisë ka nënvizuar qartë në këtë drejtim, qysh në fillim të këtij mandati: Qeverisja jonë përbëhet nga tre pjesë: partia, grupi parlamentar e qeveria.

Por ajo është një proces i vetëm që mund të ketë sukses vetëm nëse të trija pjesët bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe në funksion të njëra-tjetrës.

Padyshim partia është baza e këtij procesi, ura lidhëse e grupit dhe e Qeverisë me njerëzit e zakonshëm në çdo komunitet, garancia e mos harresës për asnjë ditë prej nesh këtu lart të atyre atje poshtë, në hartën e Shqipërisë reale të halleve, problemeve, shpresave e pritshmërive të shqiptarëve.

Prandaj, duke e nisur këtë mbledhje të parë të këtij viti të ri sfidash qeverisëse me gjendjen organizative të partisë, dua ta them qysh në fillim:

Nuk jemi aty ku duhet; madje jemi larg pozicionit ku duhet të gjendemi në çdo qark, pa përjashtim.

Natyrisht kohën e kemi përpara, por nëse dielli duket që në mëngjes, atëherë miq, 100 ditët e para kanë kaluar dhe edhe 200 të tjera i mbeten mëngjesit të këtij mandati për të shpërbërë situatën gri në pasqyrimin e gjendjes aktuale të partisë.

Shoqe e shokë,

Deri në fund të muajit dhjetor, ne kemi përmbyllur në nivelin 90% procesin e zgjedhjeve në dy nivelet bazë të partisë sonë: në organizatat dhe në Këshillat socialistë.

Nga 4978 OS gjithsej në shkallë vendi, janë zhvilluar mbledhjet zgjedhore në 4785 OS. Diferenca prej 193 OS që janë në proces, përbëhet kryesisht nga 179 OS në bashkinë e Tiranës. Ky është informacioni i datës 4 janar 2018. Por shifrat nuk i thonë të gjitha.

Çfarë u vërejt në këto zgjedhje në Organizatat Socialiste:

Së pari, 90% e kryetarëve të OS të sapozgjedhur do të menaxhojnë procesin e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor të vitit 2019 në një QV, 9 përqind e tyre në dy QV, bazë e fraksion, kurse në 1% do të jenë më shumë se një OS për një QV.

Së dyti, pati vlerësim për zbatimin e kriterit që ish kryetarët e OS, si rregull, nuk duhet të rikandidonin kur rezultati i zgjedhjeve të këtij viti ishte më i ulët se në vitin 2013. Mirë u punua në bashkitë Vau i Dejës, Lezhë, Dibër, Bulqizë, Tiranë, Kamëz, Gramsh, Fier, Lushnjë, Maliq, Vlorë etj.

Në mjaft raste u përsëritën mbledhjet zgjedhore të OS për të zbatuar këtë kriter.

Nga verifikimi edhe për këtë çështje, në 22 bashki u vërejtën raste të moszbatimit të këtij kriteri, që u argumentua me faktin se në mbledhjet zgjedhore të OS u diskutua me seriozitet se ç’përgjegjësi direkte kishte kryetari i OS, me mundësitë e OS për të gjetur një kryetar më të mirë etj.

U zgjodhën për herë të parë 1352 kryetarë OS, ose përafërsisht 30% e kryetarëve të OS gjithsej, nga të cilët mbi 700 ishin në OS me rezultate më të ulta se zgjedhjet e vitit 2013, kurse të tjerët për përmirësim të nivelit të drejtimit etj.

Në qarqet Elbasan, Korçë, Fier, Berat, Lezhë, kryetarët e zgjedhur për herë të parë në këto zgjedhje dhe ato të vitit 2015 zënë rreth 1/3 e kryetarëve të OS gjithsej në shkallë qarku, një tregues që flet për një zëvendësim normal të të zgjedhurve nga Organizatat Socialiste.

Së treti, ka një rritje të treguesve arsimorë të kryetarëve të OS. Për herë të parë, në këto zgjedhje kryetarët e OS me arsim të lartë përbëjnë më shumë se 50% të tyre.

Bashkia Gjirokastër ka me arsim të lartë 83% të kryetarëve të OS, Tirana 74%, Vlora 73%, Elbasani 65%, Fieri 64% etj. Kujdes i veçantë duhet për ngritjen e nivelit arsimor të të zgjedhurve në OS në disa bashki si Malësi e Madhe, Dibra, Rrogozhina, Dropulli, Finiqi, Konispoli, ku me arsim të lartë janë më pak se 20% e kryetarëve të OS.

Rritje ka edhe numri i kryetarëve të OS me arsim të mesëm, ndërsa numri i atyre më 8-9 vjeçare është ulur nga 460 në zgjedhjet e vitit 2015 në 160 për këtë vit, ndërsa pesha e tyre është ulur nga 9.3% në 3%.

Së katërti, treguesit gjinorë e moshorë kanë kërkuar më shumë vlerësim.

Shoqet përbëjnë 10% të kryetarëve të OS, ndërsa në anëtarësinë e partisë ato zënë 23.5%. Në bashkitë Pukë, Fushë-Arrës, Klos, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Pustec nuk ka asnjë shoqe kryetare të OS. Bazuar në këtë gjendje dhe duke u ballafaquar me Statutin e Partisë, neni 23, pika 3b, sipas së cilës Organizata Socialiste ngrihet mbështetur në parimin jo më pak se 30% përfaqësim gjinor. Për strukturat e partisë dhe Forumin e Gruas Socialiste del detyrë parësore të organizojnë punën për zbatimin e kësaj kërkese statusore. Aktualisht janë 12 bashki dhe konkretisht Malësi e Madhe, Fushë Arrës, Has, Kukës, Klos, Dibër, Rrogozhinë, Divjakë, Roskovec, Mallakastër, Belsh e Përrenjas, ku gratë zënë më pak se 15% të anëtarësisë së partisë. Në objektivat e këtij viti, anëtarësimi i grave dhe vajzave të jetë drejtim kryesor i punës së OS dhe strukturave të partisë në të gjitha nivelet, me synimin që shoqet të përbëjnë 33% të anëtarësisë së partisë në qytet dhe 20% në fshat.

Treguesit moshorë kanë përmirësim në qarqet Fier, Berat, Korçë e Kukës. Në shkallë vendi, kryetarët e OS me moshë deri 30 vjeç zënë rreth 20%, kur pesha e anëtarësisë së partisë me këtë moshë zë 28.3%. Edhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2015, në shkallë vendi ka një ulje rreth 5%.

Për përmirësimin e këtij treguesi kërkohet një punë e veçantë dhe më e organizuar e me pikësynime të qarta që në procesin e anëtarësimeve të reja; patjetër një kujdes më i madh e më shumë besim edhe në procesin zgjedhor.

KËSHILLAT SOCIALISTE TË NJËSIVE ADMINISTRATIVE

Në bazë të ndarjes së re territoriale, përfshirë edhe ndarjen e qyteteve të mëdha në rajone, janë ngritur 400 Këshilla Socialiste (KS). Deri tani janë konstituuar 323 KS, ndërsa 77 KS janë në procesin e konstituimit, 39 prej të cilave janë në bashkitë Tiranë e Dibër.

Në këtë proces është treguar kujdes me zbatimin e kriterit për nivelin arsimor, mos kandidimi i kryetarëve, që në zgjedhjet e këtij viti patën rezultate më të ulta se zgjedhjet e mëparshme parlamentare, etj. Në Këshillat Socialiste të konstituuar, 74 kryetarë janë zgjedhur për herë të parë.

Në përfundim të procesit të konstituimit të KS, 47 bashki kanë dërguar në Zyrën e Organizimit listat me përbërjen re të Këshillave Socialiste të Njësive Administrative.

Nga krijimi i vendeve vakante në detyrën e kryetarit të partisë të Bashkisë, për arsye të zgjedhjes apo emërimit të disa prej tyre në detyrë tjetër, brenda muajit shkurt 2018 do të zhvillohen zgjedhjet e reja edhe në këtë nivel të strukturës vendore të partisë.

Deri tani është zgjedhur kryetari i partisë i bashkisë Përmet, dhe janë në proces përzgjedhja dhe zgjedhja e tyre në bashkitë Lezhë, Klos, Elbasan, Peqin, Skrapar, Gjirokastër.

Brenda muajit janar të saktësohet qëndrimi ose jo në detyrë i kryetarëve të partisë në bashkitë Shkodër, Mirditë, Krujë, Ura Vajgurore, Fier, Roskovec, Delvinë; dhe të dërgohen për miratim në Kryesinë e Partisë kandidaturat për kryetarë partie të bashkive përkatëse.

Do të doja të falenderoja ata anëtarë të Asamblesë Kombëtare të angazhuar në këtë proces shumë të rëndësishëm analize të procesit zgjedhor që kaluam, por edhe një ushtrimi të domosdoshëm ripërtëritje dhe afrimi njerëzish dhe kontributesh të reja.

Por si Kryetar i kësaj asambleje dhe si Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, nuk mund të mjaftohem me arritjet pozitive në shifra, ndërkohë që e di unë dhe e dini ju se sa shumë boshllëqe apo gropa, siç i quajmë ne, ka nën pasqyrën e shifrave.

Për shembull, kemi anëtarë të kësaj asambleje që nuk kanë pasur fare prani në organizatat ku kanë qenë të deleguar dhe nuk kanë ushtruar detyrën e tyre si pjesë e këtij forumi të lartë. Pse?!

Mund të ketë secili psenë e tij, por pseja ime është shumë e thjeshtë: Sepse ne e kemi toleruar këtë neglizhencë në të shkuarën dhe kjo tolerancë është kthyer në dobësi organizative deri në këtë nivel.

Detyra e secilit prej nesh, si të deleguar të Kryesisë në një qark apo si i deleguar i Asamblesë Kombëtare në një bashki apo grup organizatash,

duhet të synojë krijimin e një marrëdhënieje dhe komunikim mes anëtarësisë dhe përfaqësisë më të lartë të partisë, që është Asambleja Kombëtare.

Vetëm kjo marrëdhënie mund të na japë mundësinë që nga njëra anë të ndjekim nga afër procesin e zgjedhjes dhe të ripërtëritjes në të gjitha organizatat socialiste në të gjithë Shqipërinë, por dhe nga ana tjetër të marrim një pamje të qartë të ecurisë, të metave dhe dobësive.

Dhe sigurisht përgjegjësia individuale bie mbi çdokënd që nuk e ka bërë detyrën, por ajo politikë bie në radhë të parë mbi drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët e kanë toleruar në përditshmërinë e punës së tyre këtë dobësi të rëndë dhe nuk i kanë qëndruar mbi kokë procesit me rigorozitetin e nevojshëm.

Dhe këtu më duhet të ripërsëris Kryetarin e Partisë, për ata kolegë drejtues qarqesh që janë edhe ministra, sepse ata kanë edhe barrën më të madhe dhe në njëfarë mënyre edhe hapësirën më të madhe për justifikime.

Përgjegjësia e drejtimit politik dhe angazhimi partiak në qarkun përkatës është prioritare dhe nuk mund të bjerë si rezultat i ngarkesave të tjera, sepse ka kosto të madhe për integritetin e marrëdhënies së shumicës sonë qeverisëse me popullin.

Prandaj, duke i ftuar kolegët drejtues të qarqeve si edhe të gjithë deputetët dhe anëtarët e asamblesë po ashtu, në një reflektim serioz për gropat e lëna hapur në procesin e zgjedhjeve në parti, i propozoj Kryetarit të Partisë që Kryesia të mblidhet sa më parë për të adresuar konkretisht problematikat që duhen trajtuar në 200 ditët e ardhshme në këtë drejtim themelor të bashkëqeverisjes sonë me njerëzit.

Në Agjendën Vjetore Organizative të Partisë është përcaktuar qartë se korrektimi i segmenteve të procesit zgjedhor dhe kritereve që nuk janë respektuar, duhet të realizohet brenda muajit shkurt 2018.

Por kur them 200 ditët e ardhshme, nuk kam parasysh vetëm këtë aspekt të punës së partisë.

Partia nuk është qëllim në vetvete, por është mjeti ynë bazik për Bashkëqeverisjen me Njerëzit.

Prej ditës së parë kur kemi marrë këtë mandat qeverisës, e kemi thënë se tipari themelor i këtij mandati do të jetë besnikëria ndaj interesave të vendit dhe ndaj çdo njeriu të zakonshëm dhe çdo familjeje të zakonshme të këtij vendi.

Do të jemi një parti besnike ndaj tyre; një qeveri besnike ndaj tyre; një grup parlamentar besnik ndaj tyre.

Si Kryetar i Grupit Parlamentar dua të falenderoj të gjithë deputetët tanë për angazhimin e tyre, por edhe për korrektësinë ndaj vendimmarrjes politike.

Të gjithë e dimë se sfida e këtij mandati kërkon që grupi parlamentar të jetë i organizuar shumë mirë, i disiplinuar si asnjëherë më parë dhe i përgatitur për debatin e vijës së parë në komisione dhe në sallë, i aftë organizativisht për t’u koordinuar plotësisht me Kryesinë e partisë dhe me ekipin qeverisës.

Dua t’i falenderoj të gjithë deputetët tanë për gjakftohtësinë që treguan ndaj dhunës, provokimeve, gjuhës së rrugës në seancën e fundit të vitit të vjetër.

Seanca e fundit e Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet mend si një seancë që dëmtoi Shqipërinë.

Edhe një herë, ndjesë të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për shfaqjen e radhës të përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi.

Shqipëria nuk e meriton as baltën, as tymin, as vallet e çizmeve firmato në ajrin e Parlamentit, si pasojë e shfrenimit të një opozite të mbledhur grusht nën çadrën e frikës prej Reformës në Drejtësi.

Por pavarësisht seancës së fundit, Kuvendi i Shqipërisë prej mesit të shtatorit nuk është më ai i katër viteve të shkuara, ku fjala të jepet kur të teket dhe koha është gjëja e fundit që të shkon ndërmend.

E çuditshme, shumë e pabesueshme, por e vërtetë që edhe deputeti më i padisiplinuar në këto 27 vite, largohet nga foltorja sapo bie gongu i mbarimit të kohës së fjalës së tij.

Ndërkohë që rregulli dhe transparenca po vendoset edhe në financat e Kuvendit.

Në detyrat e shtëpisë që Kuvendi ka në kuadër të procesit të integrimit europian, detyra e vetme e parealizuar për vitin që u mbyll ishte vetëm miratimi i Kodit të Etikës, dokument që do të miratohet brenda javëve të para të sesionit që fillojmë.

Mirëpo detyrat e shtëpisë të ne deputetëve nuk mbarojnë nën çatinë e Kuvendit.

Sot ne kemi ende bashki ku nuk janë funksionale zyrat e skuadrës së deputetëve të qarkut.

Kjo është e papranueshme!

Është një zotim i marrë që askush nuk mund ta shkelë, duke dëmtuar marrëdhënien me zgjedhësit për diçka kaq të thjeshtë, bazike e të domosdoshme.

Këto zyra janë një receptor i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në përmbushjen e komponentit të bashkëqeverisjes.

Funksionimi i tyre është një domosdoshmëri për të garantuar bashkëpunimin e ngushtë dhe ndërveprimin sistematik mes partisë, grupit e qeverisë.

Brenda shkurtit nuk do të ketë me justifikim për askënd, për asnjë zyrë ende të munguar në të 61 bashkitë e vendit.

Kontrata e besimit, e konkretizuar në marrëveshjen e firmosur në fillim të legjislaturës ndërmjet Kryetarit të Grupit Parlamentar, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe ministrave, synon garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar për vitet 2017-2021.

Në përfundim të 300 ditëve të para të mandatit qeverisës, palët nënshkruese të Marrëveshjes do të analizojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje sipas metodologjisë së përcaktuar në të.

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare,

Zgjedhjet vendore 2019 janë vetëm 17 muaj larg, dhe për ne ky vit që fillojmë me këtë asamble është viti i një organizimi elektoral në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Natyrisht që partia është baza mbi të cilën organizohen fushatat elektorale; por në ushtrim të detyrës që kjo Asamble më ka besuar, dua që të jetë e qartë për të gjithë kryetarët aktualë të bashkive, përfaqësues të Partisë Socialiste, se secili duhet të jetë në krye procesit të Bashkëqeverisjes, në çdo komunitet, qytet a fshat që ju ka besuar detyrën e qytetarit të parë, por edhe të shërbëtorit të parë të halleve të komunitetit.

Nuk ka njohur Shqipëria më parë një program mbështetje me investime si Rilindja Urbane për qeverisjen vendore.

Nuk kanë pasur kurrë më parë bashkitë peshën që kanë sot, për shkak të përgjegjësive të reja e të mëdha që lindën nga Reforma Territoriale.

Por nuk ka dyshim po ashtu, se nuk ka asnjë bashki që nga Tirana dhe deri në Pukë a Konispol, ku nuk ka vend për përmirësime të mëtejshme të procesit qeverisës në nivel vendor, në radhë të parë tek shërbimet.

Unë besoj se fokusi i punës së bashkive ku ne kemi përgjegjësinë e qeverisjes gjatë këtij viti, duhet të jetë përmirësimi i shërbimeve në kohë e në cilësi dhe qëndrimi sa më shumë pranë njerëzve për të komunikuar dhe dhënë zgjidhje e shpjegime të përkushtuara për këdo.

Edhe ai që s’ka të drejtë në atë që kërkon, ka të drejtën e një shpjegimi të përkushtuar nga bashkia për psenë e mosplotësimit të kërkesës së tij.

Në Agjendën Vjetore Politike, ne kemi përcaktuar fillimin në pranverë të anketimeve për vlerësimin e performancës së përfaqësuesve tanë në krye të bashkive, por edhe në këshillat bashkiakë.

Për askënd nuk do të ketë mbështetje dhe “kreditim’ të mbështetjes politike të Partisë Socialiste në rast se aleati ynë i vetëm, “qytetarët”, nuk do të japin dakordësinë për kandidaturat.

Të jemi të gjithë të qartë se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2019, ne kemi vetëm një koalicion: Aleancën me Qytetarët. Përballë kemi një aleancë politikanësh që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë.

Ne do të jemi me njerëzit e zakonshëm, përballë do të kemi ata që e duan politikën si armë për të ruajtur privilegjet e tyre, jo për të luftuar për njerëzit të cilëve u kanë marrë votën.

Opozitën e duan çadër për t’u mbrojtur nga drejtësia, duke hedhur pa pushim baltë në veshët e shqiptarëve dhe tym në sytë e tyre.

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste,

Në pikën e fundit të rendit të ditës, në konsultim edhe me Kryetarin e Partisë dhe Kryeministrin, kemi përfshirë disa ndryshime në strukturën e Sekretariatit Ekzekutiv.

Dua të jem i hapur me ju, se jo i gjithë grupi i sekretarëve ka punuar me efikasitetin e plotë që kërkon funksioni i ngarkuar nga Asambleja.

Por unë dua t’i kërkoj Asamblesë, që sekretariatit aktual t’i jepet një mundësi e dytë.

Njëkohësisht dua që bashkë me Kryetarin e Partisë t’i propozojmë Asamblesë Kombëtare që detyrën e Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare t’ia besojmë shoqes Teuta Voda.

Ndërsa shokut Bledi Cuci t’i besojmë detyrën e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore.

Ndërkohë Blerina do të vazhdojë detyrën si Sekretare për Koordinimin Elektoral, detyrë që e ka kryer më së miri dhe që përgjatë këtij viti përgatitor për zgjedhjet lokale merr një rëndësi të veçantë.

Sakaq, propozojmë Gramoz Ruçi të jetë anëtar i Kryesisë së partisë.