820 mijë euro dhurate e Rames ,impiantit të mbetjeve në Fier

343

Në kulmin e debatit në lidhje me përfshirjen e qeverisë në financimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Fier që nuk ka nisur ende investimin, thesari në Ministrinë e Financave ka paguar në ditët e fundit të vitit 2017 një faturë tjetër prej 108 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro) ndaj kompanisë Integrated Technology Waste Treatment, që ka fituar koncesionin për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Fierit.

Kompania po merr pagesa të rregullta nga Thesari edhe pse kaloi një kalvar konfliktesh me komunitetin në Qarkun e Fierit, të cilët me protesta agresive nuk po lejojnë ndërtimin e  impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, Integrated Technology Waste Treatment Fier, më datën 19 dhjetor 2017 ka ekzekutuar faturën prej 108 milionë lekësh, duke e çuar kështu shumën e përgjithshme të pagesave ndaj kompanisë në 771 milionë lekë ose rreth 5.8 milionë euro.

Nga 11 nëntori i vitit të kaluar, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka të drejtën për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit nëpërmjet koncesionit me Partneritetit Publik Privat, teksa ka përfituar nga qeveria 21% të vlerës së investimit.

Sipas Ministrisë së Financave, impianti i mbetjeve në Fier do të kushtojë rreth 3.6 miliardë lekë ose 27 milionë euro.  Financimi është përllogaritur të bëhet gjatë periudhës 2017-2022. Kufiri vjetor i financimit është 661.5 mln lekë.

Avancimi i punimeve në lidhje në impiantin që do të përpunojë mbetjet në Fier nëpërmjet metodës së djegies me incinerator u pengua edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Për kreditë elektorale, funksionarët lokalë të Fierit premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania është në kërkim të një vendi ku mund të zhvillojë investimin.

Gjatë këtij viti, qeveria ka programuar të financojë integrated Technology Waste Treatment Fier edhe me 660 milionë lekë të tjera, teksa problemi i tokës ku do të bëhet investimi ende nuk është zgjidhur.

Ekspertët e mjedisit janë duke hedhur alarmin se po krijohen mbiinvestime në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve me incinerator. Ndërkohë funksionimi i tyre është me kosto të larta në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Së pari, këto impiante emetojnë CO2 në mjedis më nivel më të lartë se aktiviteteve të tjera. Por përpunimi nëpërmjet djegies me incinerim krijon mbetje të rrezikshme që nuk kalojnë për trajtim të mëtejshëm dhe depozitimi i tyre është rrezik./MONITOR

TABELA: Faturat e shlyera nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit në Ministrinë e Financave