12 dite ne uje edhe pas permbytjes se madhe ,ja si po jetojne 18 familje ne Darzeze

109

Ndërkohë që kanë kaluar rreth 12 ditë nga përmbytja e luginës së Vjosës, ujërat vazhdojnë të mbajnë nën pushtetin e tyre lagjen Përtiq në fshatin Darëzezë të Bashkisë Fier. Janë rreth 18 banesa të përmbytura, por ata që po përballen me më shumë vështirësi janë vëllezërit Fejzullai, dy fermerë, të cilëve u duhet të luftojnë çdo ditë me ujin, mungesën e ushqimeve dhe sëmundjet, për të shpëtuar bagëtitë e tyre. 

Lagja Përtiq ndodhet rreth 6 kilometra larg qendrës së fshatit Darëzezë dhe është e pamundur që të mbërrish aty pa varkë ose pa çizme të llojit L 1, pasi përgjatë rreth një kilometër e gjysmë e rrugës është e mbuluar nga uji që arrin deri në 1 metër e gjysmë thellësi. 

Teksa mbërrijmë në vendin e quajtur “vau”, rreth 150 metra larg, duket fermeri Panajot Fejzullai i cili çan ujin që arrin mbi mesin e tij. Në fermën e tij gjenden 30 krerë gjedhë dhe një prej lopëve rrezikon jetën pasi është sëmurur nga i ftohti dhe mungesa e ushqimit. 

Teksa merr serumin nga një miku i tij, Panajoti ndalet një çast dhe tregon realitetin e pazakontë e të vështirë me të cilin po përballet ai dhe familja e tij si dhe mungesën e ndihmës së nevojshme për bagëtitë.
Shoku i Panajotit Çlirim Tafa tregon se dy fermerët e lagjes Përtiq ndodhen në vështirësi të mëdha. Ai tregon se veç 30 krerëve gjedhë që ka në fermën e tij Panajoti, i vëllai ka më shumë se 100 krerë bagëti të imëta. Tafa shton se ndihmat në bazën ushqimore për bagëtinë kanë qenë të pakëta.

Nga burime të bashkisë së Fierit është mësuar se lagja Përtiq e fshatit darëzezë është zona me më shumë problematikë për momentin. Sipas këtyre burimeve, për shkak se uji vazhdon ta mbajë ende të pushtuar këtë zonë nuk është kryer ende verifikimi i dëmeve. Ndërkohë, prurjet e hidrovorit vazhdojnë të jenë ende të mëdha dhe si pasojë pritet që kjo lagje të mbetet edhe disa ditë të tjera nën pushtetin e ujit.